Vendosni fjalën kyçe....

Prostitucion, trafik droge dhe vrasje – Kush janë 3 personat nga Lezha dhe Kurbini që duhet të deklarojnë pasurinë


Operacioni Forca e Ligjit ka zbarkuar sot në Kurbin dhe në Lezhë, për t’i dërguar formularin për deklarimin e pasurisë tre personave, të akuzuar për shfrytëzim prostitucioni, trafikim të lëndëve narkotike dhe vrasje.

I pari në këtë listë është Gëzim Çelaj, i cili rezulton të jetë i dënuar për shfrytëzim prostitucioni, i dyti Arben Prendi, i dënuar për trafik droge dhe Perikli Marku, i dënuar për vrasje.

NJOFTIMI I POLICISË

Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: – G. Ç., banues në Kurbin, i dënuar për veprën penale “Shfrytëzim pròstitucioni”; – A. P., banues në Lezhë, i dënuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”; – P. M., banues në Lezhë, i dënuar për veprën penale “Vrásja në rrethana cilësuese”;

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë. 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *