Elisa Spiropali ka justifikuar gjestin e drejtorit të Policisë, Ardi Veliut, i cili publikoi videon me armë në dorë të nënës së një të mituri të dhunuar nga efektivët, për të treguar se “nga çfarë familjeje vinte” adoleshenti.
Spiropali e cila është ministre e Shtetit për Marrëdhëniet Parlamentare, tha në studion e “ABC News” se deklarata e drejtorit të Policisë ishte e gabuar, por se ai e ka bërë në mënyrë të nxituar pasi nuk ka patur kohë dhe ka qenë në presion të madh për shkak të ngjarjeve të fundit.
“Në dijeninë time ka qenë në mbyllje të komisionit dhe as ka patur kohë për të mundësuar një reagim të qenësishëm përsa i përket deklaratave të drejtorit të përgjithshëm të policisë.
Ishte deklaratë e gabuar, shumë e nxituar dhe krejt e panevojshme, arsyetoj unë dhe kanë arsyetuar të gjithë ata në maxhorancë, edhe vetë kryeministri. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, unë e kuptoj është në një stres të madh përsa i përket punës që ka bërë Policia e shtetit në këto 2 vite. Ka qenë në një presion të jashtëzakonshëm, Molotov mbi krye, dhunë, armë, gurë etj…” – tha Spiropali.
Sipas ministres, Veliu ka marrë ndëshkimin e mjaftueshëm duke marrë vërejtje dhe duke u gjykuar moralisht dhe nuk e konsideron të nevojshme që ai të japë dorëheqjen.