“Venecia ka konfirmuar qëndrimin e drejtë të presidentit Meta lidhur me paketën anti-kushtetuese të ligjit antishpifje” – ka deklaruar sot zëdhënësi i Presidencës, Blushi.
Deklarata e tij vjen pas publikimit të draftraportit të Komisionit të Venecias lidhur me të ashtuquajturën paketë antishpifje të qeverisë Rama.
Blushi shkruan se raporti pohon siç është sqaruar më herët nga presidenti Meta se ligjet në fjalë bien ndesh me dispozitat kushtetuese për lirinë e shprehjes, parimet themelore kushtetuese për një shtet demokratik si dhe nuk janë në harmoni me standartet e Konventës Europianë të të Drejtave të Njeriut dhe të Gjykatës Europianë të të Drejtave të Njeriut.
“Ashtu sikundër pritej, Komisioni i Venecias ka konfirmuar qëndrimin e drejtë të Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta për paketën anti-kushtetuese të ligjeve “anti-shpifje”.
Siç është sqaruar edhe me dekretet e Presidentit Meta, këto ligje jo vetëm që nuk janë në harmoni, por bien në kundërshtim me:
– Parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit;
– Dispozitat kushtetuese që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, të lirisë së shtypit dhe të drejtës së informimit;
– Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, vendimet e së cilës përbëjnë norma të detyrueshme për zbatim;
– Nuk janë në harmoni me standartet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut;
– Nuk janë në harmoni me jurisprudencën e Gjykatës Europianë të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ)
Pa garantuar lirinë e shprehjes nuk ka demokraci dhe nuk mund të ketë çelje të negociatave për anëtarësim. Liria dhe pavarësia e Medias e Para!” – thuhet në reagimin e Blushit.