Vendosni fjalën kyçe....

Dy gafat e politikaneve socialiste mbi abuzimin seksual këtë javë (VIDEO)


Në një kohë kur denoncimet e fundit të abuzimit seksual të të miturve në institucionet e arsimit, në veçanti rasti në Kamëz, ndërgjegjësuan një publik të tërë që u ngrit në protesta, disa politikane të maxhorancës e larguan përgjegjësinë nga vetja, duke e gjetur diku tjetër fajtorin. Por përveç kësaj, me deklaratat që bënë vetëm sa e nxitën më shumë dhunën ndaj grave, e para duke paragjykuar veshjet e tyre me apo pa minifunde, dhe e dyta duke e konsideruar ngacmimin seksual si diçka që çdo grua e ka përjetuar.

Dy deklaratat e tyre janë bërë virale në rrjetet sociale gjatë kësaj jave, duke nxitur shumë debate.

Mimi Kodheli: “Mësueset e kanë mendjen tek minifundi”

Ish-ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e gjeti fajtorin tek mësueset duke thënë se ato e kishin mendjen tek buzëkuqi dhe minifundet, e ministrja e Arsimit Besa Shahini tek mediat dhe OJF-të.

“Ne i konsideronim mësuesit si prindërit tanë të dytë. Unë i takoj asaj gjenerate që mësuesja thoshte, ‘Pse ka munguar Mimi sot? Ka pasur temperaturë?’. Ndërsa zyshat tona sot e kanë mendjen për të bërë të tjera punë. Nuk të del koha të bësh ditarin si zyshë edhe të lyesh flokët, të blesh buzëkuqe apo minifunde, nuk ka mundësi. Zyshat tona kanë qenë të pamartuara dhe nuk bënin fëmijë, sot nuk kuptohet fare se kush është e martuar dhe kush jo. Lëre pastaj për rojet, që nuk kuptohet dhe nuk kuptohet. Tani do të marrim këtë situatë në dorë apo do bëjmë sikur flasim sa bukur, sa bukur.”- do të shprehej Kodheli në mbledhjen e aleancës së grave deputete. Videoja e mbledhjes online në faqen e “Facebook” të Kuvendit mbeti vetëm pak orë, pasi deklarata e deputetes më pak u fshi.

Besa Shahini: “Më thoni një grua që nuk ësht ngacmuar seksualisht”

Ndërkohë ditë më pas, në seancën parlamentare, ministrja e Arsimit Besa Shahini e konsideroi diçka normale ngacmimin e vajzave e grave në rrugë në momentin kur bëri pyetjen: “Më thoni një grua që nuk është ofenduar, nuk i është hedhur një fjalë, në rrugë, në punë apo në shkollë, për ta objektifikuar atë.”

Ajo madje pranoi se gjysma e popullatës është ngacmuar qoftë edhe njëherë në jetë nga burrat, dhe kjo nuk është raportuar.

Më pas Shahini e drejtoi gishtin nga organizatat joqeveritare dhe mediat, duke i bërë ato përgjegjëse për mosdenoncimet e rasteve.

Ajo tha se shpeshherë organizatat kanë dijeni për abuzimet seksuale në shkolla, përpara se rastet të denoncohen dhe nuk kanë bërë asgjë për denoncimin e tyre. Ndërsa lidhur me mediat tha se u shkelin privatësinë duke publikuar të dhëna që zbulojnë identitetin e denoncuesve dhe kjo i bën fëmijët të tremben dhe si pasojë të mos denoncojnë rastet e abuzimeve. Shahini tha se kishte kërkuar hetime për këto.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *