Ministria e Shëndetësisë ka zbuluar sot se për herë të parë, i njëjti mjek është infektuar për herë të dytë nga koronavirusi.
“Rastet e identifikuara në 24 orët e fundit janë kontakte familjare dhe disa raste të reja në proces hetimi. Aktualisht kemi një personel shëndetesor të riinfektuar pas thuajse 3 muajsh, pra i infektuar për herë të dytë, si kontakt familjar. Gjendja e tij shëndetesore është e stabilizuar”– tha Flutura Beqo, nga ministria e Shëndetësisë. Detaje të tjera lidhur me mjekun e infektuar nuk bëhen me dije.
Mjeku në fjalë është një nga 20 rastet e reja me koronavirus të konfirmuara në 24 orët e fundit.
Siç bëri me dije Ministria e Shëndetësisë, rastet e reja me koronavirus janë 10 në Tiranë, 3 në Shkodër, 3 në Krujë, dy në Durrës dhe dy në Tropojë.
Ndërkohë ka ndërruar jetë një 85-vjeçare nga Tirana e cila ishte e shtruar në Spitalin Infektiv pasi ishte prekur nga koronavirusi. Kjo e ka çuar zyrtarisht në 34 numrin e qytetarëve që nuk e kanë fituar dot betejën me koronavirusin./Hashtag.al