Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Avdullah Hoti, vendosi sot për heqje të masave të reciprocitetit kundër Serbisë.
Mirëpo siç shkruajnë mediat në Kosovë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka votuar kundër.
Nën udhëheqjen e kryeministrit Hoti, ekzekutivi ka shfuqizuar vendimin e datës 20 mars 2020 të qeverisë së kaluar Kurti, për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë dhe vendimin e datës 30 maj 2020, për plotësim ndryshimin e vendimit të parë për këtë masë.
Kryeministri Avdullah Hoti e ka quajtur vendim të rëndësishëm heqjen e reciprocitetit. “Kemi marrë një vendim të rëndësishëm për heqjen e pengesave për vazhdimin e dialogut. Presim që edhe pala serbe të heq të gjitha pengesat por ne ruajmë të drejtën tonë si shtet sovran që të vendosim masa pëe ruajtjen e sovranitetit tonë në përputhje me partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë ai.
Pas këtij vendimi ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje. Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se një vendim i tillë është heqje dorë nga sovraniteti i Kosovës.
Sipas saj, qeveria Hoti po i hap rrugë presidentit Thaçi për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë.
“Heqja dorë nga reciprociteti është heqje dorë nga sovraniteti. Qeveria ilegale po i hap rrugën Thaçit për marrëveshjen me Serbinë!”, ka shkruar Haxhiu.