Vendosni fjalën kyçe....

Vetëvendosje mbledh 150 mijë firma, kërkon zgjedhje të reja


Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se deri ditën e sotme ka mbledhur më shumë se 150 mijë firma në peticionin e nisur prej saj për zgjedhje të reja.

Sipas lëvizjes përgjigjia e qytetarëve ndaj kërkesës së Vetëvendosjes për zgjedhje të reja ka qenë e jashtëzakonshme në mbështetje të kërkesës së drejtë kundër atyre që tradhëtuan vullnetin e 6 tetorit, shkruan Lajmi.net.

Qeveria mes Vetëvendosjes e LDK-së u rrëzua pas një nocioni në Kuvend të kësaj të fundit. Pasi Vetëvendosje nuk iu përgjigj presidentit Thaçi për mandatarin e qeverisë së re, ai dekretoi Avdullah Hotin e LDK-së për qeverinë e re, vendim që u pohua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës para pak ditësh.

“Sot u bënë një javë prej kur filluam mbledhjen e nënshkrimeve në peticionin online për të vazhduar të nesërmen edhe atë fizik gjithandej nëpër Republikën e Kosovës.

Kërkesa është një: “Duam Zgjedhje!”, ndërkaq përgjigja qytetare është e jashtëzakonshme në mbështetje të kësaj kërkese të drejtë dhe legjitime përkundër atyre që pasi tradhtuan vullnetin e shprehur me 6 tetor vazhduan edhe ta vjedhin atë.

Me vullnet të vjedhur nuk do të mund as të qeverisin e as të përvjedhin ndonjë marrëveshje të dëmshme për vendin.

Deri sot janë mbledhur 150 mijë nënshkrime dhe peticioni ende po vazhdon. Ditëve në vijim do të fillojmë mbledhjen e nënshkrimeve edhe në çdo fshat e lagje për të lehtësuar procesin e nënshkrimit të peticionit për të gjithë qytetarët që duan ta plotësojnë atë.” – thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *