Vendosni fjalën kyçe....

U shpëtoi 2 atentateve në 2017-ën, i plagosuri në Elbasan është Ardian Çapja


 

Ardian Çapja

Personi i plagosur sot në Elbasan mësohet se është Ardian Çapja. Ai është dërguar në spital.

Është ende e paqartë se çfarë po ndodh këtë paradite në Elbasan, ku një makinë e djegur është gjetur gjithashtu në periferi të qytetit.

Prej një ore forca të shumta policie ndodhen në terren por ende nuk ka informacione të qarta.

“Më datë 08.06.2020, rreth orës 09:37, në urgjencën e spitalit Elbasan, është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi Ardian Çapja, rreth 55 vjeç, banues ne lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan, dyshohet i plagosur me armë zjarri. Policia po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes” – thuhet në njoftimin e policisë.

Familja e tij e mohon atentatin me armë zjarri, duke pretenduar se 55-vjeçari është rrëzuar duke punuar në banesën e tij. Por policia po heton për atentat dhe makina e djegur në Fushë Mbret e përforcon akoma më shumë këtë dyshim.

Kush është Ardian Çapaj? 

Ardian Çapja është një emër i njohur për policinë e Elbasanit, pasi disa herë ka qenë i shoqëruar, e ndërsa u ka shpëtuar më parë dy atentateve.

Ardian Çapja është pronari i hotel ‘Unives’ në hyrje të qytetit të Elbasanit. Shkak për atentatin e sotëm, dyshohet se janë konfliktet e vjetra të fisit Çapja.

Ardiani është vëllai i Sokol Çapjas, i cili u ekzekutua në vitin 2005, pas një konflikti që kishte patur me ish-kreun e Qarkullimit Rrugor, Fadil Mema. Për këtë u akuzuan nipat e oficerit.

Kjo ngjarje çoi në disa vrasje të tjera, Ardian Ibrahimi, në maj 2006, Gentian Beqiri në vitin 2012, Fadil Mema në Torino në mars 2015, Agron Çapja, nipi i tij Ardit Sinakoli dhe Eno Bedalli në shkurt të vitit 2016. Mes të plagosurve atëhere ishte edhe Florenc Çapja.

Ndërsa në qershor të vitit 2016, Ardian Çapja, Florenc Çapja dhe Bledar Muça u arrestuan për sulm ndaj disa efektivëve civilë të Policisë pasi dyshonin se do të kryenin atentat ndaj tyre.

Ardian Çapja po ashtu u ka shpëtuar para pak vitesh dy atentateve.

Në dhjetor të vitit 2017, Ardian Çapja i shpëtoi breshërisë së automatikut që u shkrep nga persona që e ruanin prej kohësh. Ata dinin me saktësi orën se kur hynte dhe dilte Ardiani nga banesa dhe kanë ndërhyrë në momentin kur ai po dilte nga banesa e tij. Ata kanë qëlluar nga një distancë e largët në momentin kur Çapja ka qenë pranë derës.

Po në muajin gusht të këtij viti, disa persona tentuan ta eliminojnë Ardian Çapjan me lëndë plasëse. Por predha e vendosur në automjetin e tij nuk arriti të shpërthente./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *