Nënkryetari i CDU/CSU në Bundestagun Johann Wadephul, me një postim në Twitter, i ka bërë thirrje palëve politike, që të vazhdojnë punën për të arritur pikat e përbashkëta për Reformën Zgjedhore.
Ai e quajti marrëveshjen e arritur si të domosdoshme dhe se dakordësia duhet të inkurajojë shtyrjen përpara të negociatave mbi kushtet që duhet të përmbushë vendi për anëtarësimin në BE.
“Dakordësia mes qeverisë dhe opozitës mbi një pjesë të rëndësishme të reformës zgjedhore duhet të inkurajojë shtyrjen përpara të negociatave të vështira mbi 15 kushtet që duhet të përmbushë Shqipëria para se të mund të fillojnë negociatat e anëtarësimit.
Jam i lumtur të vazhdoj të ofroj mbështetje. Sepse vetëm tek Reforma Zgjedhore ka akoma shumë diferenca mes palëve të cilat duhet të tejkalohen me qëllim garantimin e të drejtës së votës në përputhje me standartet e BE dhe OSBE.
Kjo është mënyra e vetme që më në fund të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Ato janë parakusht për rrugën drejt BE. Nxis të dyja palët të vazhdojnë punën me shpirt konstruktiviteti!”-shkruan Wadephul.