Shoqatat e Transportit në vend janë mbledhur sot para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për të paraqitur kërkesat e tyre para nisjes së transportit publik.
Ata thonë se po shkojnë drejt falimentimit për shkak se kanë mbetur 3 muaj pa punë dhe kërkojnë ndihmë nga shteti.
Dy janë kërkesat e tyre kryesore: heqja e akcizës së naftës dhe ulja e pragut të TVSH-së në masën 6%.
Përfaqësuesit e shoqatave të transportit thanë se nëse këto kërkesa nuk plotësohen do të përshkallëzojnë protestat dhe mund të rrisin çmimin e biletave, edhe pse shprehen se kjo është gjëja e fundit që duan.
Ditën e djeshme, Ministria e Infrastrukturës njoftoi që transporti publik do të fillojë nga data 15 Qershor. Kjo duke zbatuar disa rregulla shtesë, ku të gjithë qytetarëve dhe personelit të shërbimit i kërkohet që të jenë të pajisur me maska.
Nga 15 qershori, autobusët do të qarkullojnë vetëm me 70% të kapacitetit të lejuar, por është ende e paqartë se si do të veprohet kur në stacion do të ketë më shumë udhëtarë që shkon përtej këtij kapaciteti.