Pas vdekjes së Ragip Hajdinit, ka reaguar avokati i tij Baftjar Rusi i cili thotë se familja e të ndjerit do të bëjë një kallëzim penal për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe burgun 302.
Avokati i 50-vjeçarit tha se institucioni i burgjeve nuk është kujdesur fare për shqetësimet shëndetësore të klientit të tij, pavarësisht se ai ankohej vazhdimisht për dhimbje në shpatull dhe kërkonte të bënte vizita mjekësore. Rusi thotë se Hajdini është trajtuar në mënyrë çnjerëzore dhe se vetëm kur sëmundja kishte avancuar pranuan ta dërgonin në spital, ku u detyrua të bënte një ndërhyrje të menjëhershme kirurgjikale.
“Përpara të gjithave jemi njerëz dhe tek ne ka humbur sensi i të qenit njeri. Ai nuk është trajtuar si njeri. Do përgatisim një kallëzim ndaj burgut 302 dhe drejtorisë së burgjeve. Të afërmit janë të revoltuar pasi deri në momentin që burgu 302 është ngritur në revoltë, atij nuk i është dhënë ndihma, nuk është konstatuar shkaku pse ai njeri vuante dhe pse kërkonte me ngulm t’i nënshtrohej vizitave sepse kishte dhimbje të rënda në shpatull. Për 2 muaj është trajtuar në mënyrën më çnjerëzore dhe më të paimagjinueshme. Pasi u ngritën në protestë të tërë e çuan në spitalin e traumës. Kur e çuan atje sëmundja kishte avancuar. Kufijtë ishin të mbyllur për shkak të pandemisë dhe të afërmit nuk mund të vinin. U vendos të bëhej ndërhyrja kirurgjikale. U hap në bark pasi kishte një masë të madhe që i bllokonte të gjithë metabolizmin dhe funksionimin e organizmit. Pas hapjes i plasën të gjitha lëngjet, likidet në sipërfaqe të trupit. Nuk i funksionuan më organet”, deklaroi avokati, citon Balkanweb.
Avokati tha se ai është në pritje të ekspertizës për të zbuluar shkakun e vdekjes dhe për të bërë kallëzimin penal.
Ragip Hajdinit, i njohur edhe me nofkën “Daja” ishte i arrestuar si një nga bashkëpunëtorët për grabitjen e Rinasit. Akuza që 50-vjeçari vazhdimisht i ka mohuar.