Koreja e Veriut thotë se do të ndërpresë të gjitha lidhjet e komunikimit me Korenë e Jugut, duke përfshirë edhe linjën telefonike mes liderëve të dy kombeve.
Veriu e konsideron këtë të parën në një seri veprimet që do të ndërmerren, duke e përshkruar Jugun si “armiku”, shkruan BBC.
Telefonatat e përditshme, të cilat janë bërë në një zyrë ndërlidhëse të vendosur në qytetin kufitar të Koresë së Veriut, Kaesong, do të pushojnë nga e marta.
Të dy shtetet e kishin ngritur zyrën për të ulur tensionet pas bisedimeve në vitin 2018.
Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut teknikisht janë ende në luftë sepse nuk u arrit asnjë marrëveshje paqeje kur lufta Koreane përfundoi në vitin 1953.
Koreja e Veriut “do të ndërpresë plotësisht dhe do të mbyllë linjën e ndërlidhjes midis autoriteteve të Veriut dhe Jugut, e cila është ruajtur përmes zyrës së përbashkët ndërlidhëse Veri-Jug … nga 12:00 në 9 qershor 2020” – thuhet në raportin e Agjencisë Qendrore të Lajmeve (KCNA).
Kanalet e komunikimit ushtarak gjithashtu do të ndërpriten, tha Koreja e Veriut.
Kur zyra e ndërlidhjes u mbyll përkohësisht në janar për shkak të kufizimeve të vendosura lidhur me pandeminë e Covid-19, kontakti midis dy shteteve u mbajt me telefon.
Të dy Koretë bënin dy telefonata në ditë, në orën 09:00 dhe 17:00. Të hënën, Jugu tha se për herë të parë në 21 muaj, thirrja e saj në mëngjes kishte mbetur pa përgjigje, megjithëse kontakti ishte bërë pasdite.
Kim Yo-jong, motra e udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un kërcënoi javën e kaluar të mbyllte zyrën, nëse Koreja e Jugut nuk ndalon grupet e dezertorëve që dërgojnë fletëpalosjet në Veri.
Ajo tha se fushata e fletëpalosjeve ishte një veprim armiqësor që shkelte marrëveshjet e paqes të bëra gjatë samitit të Panmunjom të vitit 2018.