I zgjedhuri si kryenegociatori i Shqipërisë për anëtarësimin në BE, Zef Mazi, foli për grupin negociator duke thënë se kanë njohuri të larta profesionale dhe përvojë të gjatë.
Megjithatë sipas tij do të ketë sfida mjaft të mëdha përpara me një rëndësi të pallogaritshme për vendin. Ai i konsideron negociatat me BE-në, si më të rëndësishmet që ka bërë Shqipëria në 70 vitet e fundit.
“Desha të nënvizoj se emërimi im në këtë post është një nder i madh për mua. Rruga që kam marrë përsipër vendi ynë, në unison të plotë, ka filluar shumë herët, që prej 20 vitesh. Ka vende që e kanë filluar këtë rrugë më herët, tani është radha jonë dhe para nesh, është një punë mjaft e madhe, do të ketë sfida mjaft të mëdha përpara, këto sfida do kenë rëndësi të pallogaritshëm për vendin.
Grupi negociator është me njohuri shumë të larta profesionale dhe me përvoja të gjata në procesin e integrimit. Kam bindjen se ky është një moment historik për vendin, do jenë negociata më të rëndësishme që ka bërë Shqipëria në 70 vitet e fundit. Kjo punë do të arrihet të kryhet mirë e me cilësi, nëse vijojmë të koordinuar mirë, të jemi me një zë. Me përkrahjen edhe ndihmën e Këshillit, institucioneve të vendit, shoqërisë civile, faktorëve të tjerë, ne nuk do kursejmë energjitë për ta çuar përpara për mbylljen me sukses të negiociatave me BE”,- tha Mazi.