Misioni i parë arab hapësinor për në Mars po përgatitet të niset brenda disa javësh. BBC shkruan se do të duhen shtatë muaj për të udhëtuar 493 milion kilometra për të arritur në Mars dhe për të filluar orbitën e tij, duke marrë të dhëna të reja për klimën dhe atmosferën e saj.
Sonda do të mbetet në orbitën e Marsit për një vit të tërë marsian, që i bie 687 ditë, për të mbledhur të dhëna të mjaftueshme. Një orbitë e vetme rreth Marsit mund të zgjasë për 55 orë.
Në një konferencë të hënën, drejtori i programit Sarah Al-Amiri tha se projekti duhet të jetë një nxitje e madhe për shkencëtarët e rinj arabë që të fillojnë një karrierë në inxhinierinë e hapësirës.
Pajisja e fluturimit që mban emrin Amal (do të thotë “Shpresë”), është vendosur të nisët më datë 14 korrik, nga ishulli i largët japonez, Tanegashima. Astronauti i parë arab që shkoi në hapësirë ishte Princi i Arabisë Saudite, Sulltan Bin Salman Al-Saud, i cili fluturoi në anijet hapësinore amerikane në vitin 1985.
Por kjo ka komplet një tjetër magnitudë. Anija hapësinore u ndërtua në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe u dërgua në Japoni, ku të gjithë inxhinierët e saj u detyruan të hyjnë në karantinë për shkak të pandemisë së koronavirusit, duke rrezikuar edhe vonesën e datës së nisjes së misionit.