Vendosni fjalën kyçe....

Naftëtarët e Ballshit përsëri në protestë: Kemi mbetur mes 4 rrugëve


Ditën e sotme naftëtarët e uzinës së Ballshit janë ngritur sot në protestë, për t’i rikujtuar qeverisë kërkesat e tyre. Ata kërkojnë pagat e prapambetura dhe rifillimin e punës.

Ata kërkojnë që kompania që ka fituar të drejtën për të marrë përsipër Uzinën e Ballshit, të bëjë një mbledhje dhe të vendosin për rinisjen e punës.

“Ne sot jemi mbledhur duke marrë shkas nga mbledhja e zonjës Balluku me donatorët që ishin të gatshëm të merrnin uzinën e Ballshit për rifillimin e punës, dhe nga mbledhja u tha që përfaqësuesi i firmës që do vazhdojë punën është kompania “Allum”, që ne e mirëpritëm për arsyet ekonomike dhe vështirësitë që kemi patur në familjet tona.

Është një dritë jeshile që u prit me entuziazëm nga ana jonë, sepse ishte një kompani me të cilën ne do uleshim dhe do bisedonim dhe për pagat e prapambetura, për ecurinë e punës dhe kontratat afatgjata. Sepse ne nuk kemi më besim të bëjmë një kontratë 1-vjeçare sepse s’i dihet.

Por nga ajo mbledhje deri tani nuk ka ardhur asnjë njeri as të bisedojë me stafin e uzinës për ecurinë e punës dhe problematikat që ne kemi. “- tha një nga përfaqësuesit e naftëtarëve.

Protestuesit janë ndarë në dy grupe, njëri grup në Ballsh janë vendosur përpara rafinerisë ndërsa tjetri në Fier përballë prefekturës.

Ndërsa kuptojnë edhe vështirësitë për shkak të pandemisë së COVID-19, naftëtarët kërkojnë mbështetje nga qeveria.

Protestuesi tha se ky është një tubim për të kujtuar qeverinë për gjendjen e tyre tejet të rëndë ekonomike.

“Ky nuk është tubim masiv, është thejsht tubim ekonomik sepse këta punëtorë edhe për arsye të pandemisë, bëjnë muajin e shtatë dhe gjendja ekonomike është shumë e mjerueshme. Aktualisht ne nuk kemi asnjë kontakt me kompaninë. Jemi mbledhur për t’i bërë të ditur qeverisë që jemi përsëri në mes të katër rrugëve dhe të rishikohet ose mblidhet ministrja me gjithë kompaninë që ka fituar të drejtën për të rishikuar fillimin e punës sepse gjendja është mjaft e vështirë”- tha protestuesi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *