Ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës, Ragip Hajdini, i njohur ndryshe edhe si “Daja”. Hajdini nga Peja e Kosovës ishte i arrestuar nën akuzat për grabitjen në Rinas të ndodhur më 9 prill të vitit 2019.
Por ishte shtruar në spital pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.
Familjarët e Hajdinit, kishin kërkuar ta takonin atë në spital mëngjesin e sotëm, por për shkak të pandemisë së Covid-19 nuk kishin mundur ta bënin këtë.
Personi i 6-të i arrestuar si i dyshuar për grabitjen në Rinas i cili njihet edhe me nofkën “daja” ka qenë me precedentë të mëparshëm.
Arrestimi i tij erdhi pas dëshmisë së dëshmitarit të drejtësisë, Alkond Bengasi, që tha se “daja” nga Kosova ishte një person tullac, të cilin e kishte takuar disa herë me Admir Muratajn.
Mirëpo Hajdini i kishte mohuar këto akuza, duke thënë se nuk është “daja” i grabitjes së Rinasit, pavarësisht se ka të njëjtën nofkë.
Madje ka kërkuar edhe përballje me Bengasin.
Ragip Hajdini rezulton me precedentë të ngjashëm penalë edhe në Kosovë, aty ku ka qenë i dyshuar për grabitjen e 25 kg ar nga Dhoma e Dëshmive në Policinë e Pejës, bashkë me 5 persona të tjerë.
Deri më tani janë arrestuar Alkond Bengasi, Renaldo Sula, Oltian Veseli, Saimir Çela, Elton Pikli dhe Ragip Hajdini./Hashtag.al