Partia Demokratike ka denoncuar dhënien e monopolit për lojërat e fatit në hotelet me 5 yje kompanisë aksonier në të cilën është edhe vëllai i ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Sipas denoncimit të publikuar nga zëdhënësja e selisë blu, Alban Manastirliu ka përfituar këtë monopol nën kompaninë ‘Adria Entertainment’ (ish-APEX), ku ka aksione me kompaninë e tij ‘VLT Albania’.
Zhupa sqaron se ‘Adria Entertainment’ zotërohet nga aksionerët APEX Holding GmbH , GREEN LINE HOLDING , APEX Enterprise GmbH , WSI dhe “VLT Albania” sh.a (bashkim kompanie). Kjo e fundit, thekson Zhupa, administrohet nga i vëllai i ministres, Alban Manastirliu.
“Monopoli për lojërat e fatit, në të gjitha hotelet e liçensuara me 5 yje, i jepet nga Rama për 10 vjet ish kompanisë APEX- AL me emër të ndryshuar edhe vëllait të Ministres së tij të Shëndetësisë Manastirliu, Alban Manastirliu! Me 19 maj 2020, Autoriteti i Mbikqyrjes së Lojërave të fatit pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Finacave ka liçencuar të vetmen kompani në treg “ADRIA ENTERTAINMENT” sh.a (ish APEX-AL) që të ushtrojë veprimtarinë në fushën e lojërave të fatit në të gjitha ambjentet hoteliere të vleresuar me 5 yje.
Kompania “ADRIA ENTERTAINMENT” sh.a aktualisht zotërohet nga aksionerët: APEX Holding GmbH , GREEN LINE HOLDING , APEX Enterprise GmbH , ËSI dhe “VLT Albania” sh.a (bashkim kompanie). Pikërisht “VLT Albania” sh.a është kompani shqiptare me administrator z. Alban Manastirliu (vëllai i Ministres së shëndetësisë, bashkëpunëtores ndër vite të Edi Rames, Ogerta Manastirliu ) që ka në veprimtarinë e saj kryesore lojrat e fatit me “Adria Entertainment” sh.a. Mbyllja e lojërave të fatit për t`i rihapur si monopol me lidhjet nepotike edhe me lidhjet klienteliste duket se ka qenë i vetmi qëllim i Ramës dhe i gjithë propagandës së tij kundra bixhozit.” – shkruan Zhupa në Facebook.