Nga Neritan Ceka
Nuk është e vështirë të kuptosh origjinën e cilësimit të Bylisit si qytet grek nga studiuesi i njohur italian i historisë së artit, Vittorio Sgarbi, i ftuar për të vizituar Shqipërinë nga Qeveria shqiptare. Kjo ftesë që vjen menjëherë pas prishjes së teatrit Kombëtar, një memorial i kulturës shqiptare, po aq sa vepër e vlerësuar e arkitekturës italiane, të krijon dyshimin se qoftë edhe heshtja e tij do të shërbente për të justifikuar atë krim kulturor. Që këtu vjen edhe kujdesi për ta rrethuar ekspertin e thellë të artit dhe polemistin e paepur me një koracë zgërbosh, mes të cilëve ai e ndjen vehten si profeti në shkretëtirë. I gjori Sgarbi, e çojnë në Bylis për të ngrënë kalastren me pilaf tek klubi i fshatit dhe ai zbulon papritur teatrin e vendosur magjishëm mbi hapësirën që shtrihet nga malet e Vetëtimave deri në Adriatik. Komenti i tij për sublimen që provon njeriu në atë përballje me përjetësinë është me të vërtetë një përsiatje filozofike, por që bie në prozaizëm kur e konsideron Bylisin grek, vetëm sepse kishte një teatër. Për më tepër kur e shënon edhe në twiter si “omonima citta greca”. Në se V. Sgarbi do të ishte atje thjesht si një turist europian, një nga të shumtët që vizitojnë çdo vit Bylisin, ky cilësim do të ishte brenda kulturës mesatare europiane, që konsideron si grek çdo qytet ku gjendet një teatër, apo qoftë një mbishkrim antik në gjuhën greke. Për atë lloj kulture bota e lashtë ndahej në grekë, apo romakë të kulturuar, përtej të cilëve ishin barbarët ilirë, trakë, keltë, apo edhe gjermanë. Një këndvështrim që studiuesit seriozë, dhe jo vetëm shqiptarë, e kanë konsideruar si paragjykim që nuk përputhet me realitetin historik dhe atë të zbuluar nga gërmimet arkeologjike.
Në të vërtetë V. Zgarbi me krahët e hapur në formë lutje, apo fluturimi filozofik, gjendej me këmbët e mbërthyera pas kryeqytetit të dikurshëm të bylinëve dhe përballë trevës së amantëve, që ngrihej në bregun e përtejmë të Vjosës. Një shqiptar me interesa pak me të gjera se topografia e lokaleve ku hahet kalastren me pilaf, do t’i kishte treguar mikut të shquar pikërisht në bregun përballë Selenicën, vendin per te cilin natyralisti romak Plini shkruante: “in finibus celebre Nymphaeum accolunt barbari Amantes et Buliones”. Natyrisht që Sgarbi e kupton latinishten, por çdo italian do ta përkthente: “Në kufi me Nymfeun e famshëm, banojnë barbarët amantë dhe bylinë”. Ky përkufizim gjeografik dhe etnik ka qenë shkruar rreth vitit 60 pas Krishtit, pra rreth 300 vjet pas ndërtimit të teatrit të Bylisit, gjë që dëshmon se bylinët dhe amantët kishin mbetur barbarë jo në kuptimin e kulturës, përderisa kishin një teatër, por në kuptimin etnik, domethënë cilësohen si jogrekë.
Dikush që di më shumë se gjiza dhe rakia, të cilën i ofruan mikut në klubin e fshatit (por jo librin në italisht për Bylisin të shkruar nga armiku Neritan Ceka!), do t’i kishte thënë Sgarbit se njëqind vjet para ndërtimit të teatrit një, autor grek, Skylaksi, shkruante se “Orikasit banojnë në krahinën e Amantisë; amantët që shtrihen deri këtu janë ilirë që nga bylinët”. Pra ai dallonte qartë koloninë greke të Orikut nga vendësit ilirë. Sikur të kishte shkruar, duke ditur se një ditë do të vinte në atë vend Sgarbi, Skylaksi vazhdon më tej: “Pas ilirëve vijnë kaonët…Pas Kaonisë vjen fisi i thesprotëve…Pas Kasopisë vjen fisi i molosëve…Pas Molosisë vjen Ambrakia, qytet helen…Prej këndej fillon Hellada pa ndërprerje”.
Për të hequr merakun në se fisi mund të ishte barbar, pra ilir, por qyteti mund të ishte helen, një autor tjetër grek, Stefan Bizantini, që ka bërë një inventar të fiseve dhe qyteteve antike, shkruante: “Byllis, qyteti Ilirisë pranë detit”. Por ai nuk përmend ndonjë qytet tjetër antik me të njejtin emër dhe nuk e marr dot me mend përse Sgarbi e cilëson Bylisin si “citta omonima”, pra “qytet me të njejtin emër”. Me cilin qytet? I gjori Sgarbi, në shoqërinë e gjizëngrënësve dhe rakipirësve, mund të ketë mësuar së emri i qytetit fqinjë të Ballshit vjen pikërisht nga emri Byllis. Por nuk besoj t’i kenë thënë se në dokumentet mesjetare Byllis/Ballsh përkthehet në greqisht si Kefalenia, ndërsa në ato sllave si Glavinica, që do të thotë kokë, ballë, pra kryevend. Sigurisht ishte një fjalë që vinte nga ilirishtja dhe jo nga greqishtja.
Historia e europianit të fisëm që viziton vendin e pasardhësve të barbarëve bylinë dhe amantë do të mbaronte këtu, në se rrogëmarrësit dhe tenderbërësit e Ministrisë së Kulturës, të magjepsur nga përsijatja filozofike e eruditit italian nuk do ta kishin shkarkuar atë në njerin nga sitet web të asaj ministrie. Natyrisht që nuk kam aspak ndërmend të godas kolonat qindravjeçare mbi të cilat ngrihet bagazhi i kulturës antike të Sgarbit, por nuk mund të mos revoltohem me serinë e zonjave që kanë okupuar prej vitesh Ministrinë e Kulturës me misionin e vetëm të shkatërrimit të kulturës kombëtare. Me këtë rast do t’i rekomandoja Sgarbit të shikojë me vemendje se kush e ka rrethuar gjatë vizitës së tij në Shqipëri dhe sa të ndryshëm janë ata nga shqiptarët që ka njohur dhe njeh çdo ditë në Itali. Më të pakulturuarit e tyre, që drejtojnë sot kulturën shqiptare janë neofuturistët tanë, që në emër të së resë shkatërrojnë të vjetrën, teatrin kombëtar, banesat e Toptanasve në Tiranë, kishat me afreske të Myzeqesë, Beratit, Gjirokastrës, Sarandës, Përmetit, Kolonjës, Korçës e Pogradecit. Janë vëllezërit e vonuar të futuristëve italianë të periudhës së fashizmit, që propozonin të lyhej me gëlqere Kapela Sistina.
Çfarë do të ishit ju sot zoti Sgarbi, sikur Musolini t’u kishte dhënë atyre Ministrinë e Kulturës? Pa studimet tuaja mbi Rafaelin, Mikelanxhelon, Tiepolon, Karavaxhion…Zoti na ruajt, Amen !