Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet kreut të Grupit të saj Parlamentar, Liburn Aliu ka depozituar në Kuvend kërkesën për interpelancë pas vendimit për heqjen e masës së reciprocitetit nga Qeveria në krye me Avdullah Hotin.
Partia e udhëhequr nga Albin Kurti ka kërkuar që rivendosja e reciprocitetit të bëhet sa më parë.
“Reciprociteti është parim ndërkombëtar që bazohet në barazinë midis shteteve. Republika e Kosovës me shpalljen e pavarësisë ka subjektivitet ndërkombëtar dhe dokumentacioni apo çdo formë tjetër ndërveprimi në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk mund të jetë ndryshe përpos se reciproke.
Barazia është parakusht, kurse reciprociteti definon shtetësinë e Kosovës në raportet me të tjerët, e sidomos me Serbinë. Është obligim shtetëror e kushtetues, përveçse në interes të shtetit që qytetarët, ndërmarrësit dhe profesionistët të trajtohen barabarësisht e pa paragjykime”, thuhet në njoftim e LVV-së.
Në këtë komunikatë, shkruhet se heqja e masave të reciprocitetit është heqje dorë nga subjektiviteti shtetëror.
“Heqja e masave të reciprocitetit, është heqje dorë nga subjektiviteti shtetëror, kurse lejimi nga Qeveria e paligjshme dhe jolegjitime i emërtimeve jo kushtetuese në kohën përkundër se kishte filluar të respektohej emërtimi kushtetues Republika e Kosovës, është zmbrapsje e dëmshme politike dhe tregtare për shtetin e Kosovës”- thonë nga LVV-ja.