Pas deklaratave të nënkryetarit të Kuvendit, Murrizi, se deputetët e opozitës parlamentare nuk do e votonin marrëveshjen për zgjedhjet e ardhshme, njëra nga deputetet e opozitës ka thënë se do e votojë marrëveshjen.
Në një reagim në Facebook, Suzana Topi, deputetja që është futur nga listat e LSI-së shkruan se vota e saj do jetë pro kësaj marrëveshjeje.
Ajo thekson se e ndërmerr këtë vendim pasi do që vendi të integrohet në BE dhe që opozita jashtë parlamentit të kthehet në institucione.
Deklarata e plotë e Suzana Topit
“Të dashur miq!
Dua të përshëndes marrëveshjen e këshillit politik për Reformën Zgjedhore e firmosur nga të gjithë aktorët politikë, e cila mori bekimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë SHBA dhe BE.
Sigurisht që kjo reforme ka nevojë të përmirësohet më tej për të bërë votime me lista të hapura, për pjesëmarrjen e emigrantëve në votime, për implementimin e sistemit elektronik në votime. Vota ime si deputete e pavaruar nga asnjë grup parlamentar do të jetë PRO kësaj marrëveshjeje, sepse unë dua integrimin e Shqipërisë në Europë, sepse unë dua që opozita jashtë parlamentit të kthehet në institucione pasi Rilindja ka kapur të gjitha pushtetet si atë ekzekutiv, legjislativ, drejtësinë, pushtetin vendor.
Parlamenti që duhet të jetë tempulli i demokracisë është i kapur, aty janë votuar ligje antikushtetuese për PPP, Konçesione, Ligji i Antishpifjes për mediat, është ngritur komision hetimor për Presidentin e Republikës , janë votuar ligje që cënojnë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.
Kjo marrëveshje i shërben demokracisë për ti hapur rrugën zgjedhjeve të lira dhe të ndershme!
Me këtë marrëveshje fiton opozita e bashkuar fitojnë Shqiptarët!.”