Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se Perëndimi ‘nuk mund të injorojë’ ngritjen ushtarake apo ekonomike të Kinës, dhe pranoi se bota ‘po përballet me një ndryshim në balancën globale të fuqisë’.
Duke folur për Radio BBC të mërkurën, Stoltenberg tha se Pekini po i avitej Perëndimit në mënyra të shumta: përmes hapësirës në internet, telekomunikacionit, infrastrukturës thelbësore dhe eksplorimit të Arktikut.
“Ne nuk mund të injorojmë pasojat e rritjes së Kinës. Së shpejti Kina do të ketë ekonominë më të madhe në botë. Ata tashmë kanë buxhetin e dytë më të madh të mbrojtjes,” paralajmëroi ai.
Kreu i aleancës ushtarake perëndimore gjithashtu tha se ishte e rëndësishme që Britania të rishikonte rolin e gjigantit të teknologjisë kineze Huawei në rrjetin e saj 5G për të garantuar sigurinë e tij.
Ai tha se beson që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të hartojë rrjetet e saj 5G në një mënyrë që të sigurojë që ato do të qëndrojnë të mbrojtura dhe të sigurta.