Aleanca për Mbrojten e Teatrit ka dorëzuar një tjetër padi në Prokurorinë Speciale lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar.
Përfaqësuesit e aleancës thanë pas daljes nga prokuroria se nuk do u ndahen atyre që prishën teatrin deri në nxjerrjen e përgjegjësve para drejtësisë.
“Ne kemi një shprehje nga anët tona, të ardhtë pas qafe. Edhe ne do u rrimë pas qafe këtyre, të gjithë atyre që kanë kryer atë krim monstruoz për të cilën është lemerisur e gjithë bota, ne do t’u rrimë pas qafe, nuk do të heshtim.” – tha regjisori Edmond Budina.
Më tej ai shtoi se policia ka grabitur natën e ndërhyrjes te teatri të gjitha sendet personale të artistëve e qytetarëve të ngujuar duke mos kthyer asgjë.
“Këta gënjejnë nga mëngjesi deri në darkë. Kryeministri ka thënë forcat Renea nuk kanë qenë fare në teatër ndërsa Ministri i Brendshëm tha kanë qenë sepse kishin të dhëna për eksploziv. Policia është kthyer në një polici bashibozukësh. Edhe objeket tona personale janë vjedhur atë nate, vlera është e konsiderueshme, kalon mijëra euro dhe asgjë nuk është kthyer. Ata të gjitha i shkatërruan aty, edhe biçikletat tona janë gjetur të shitura në pazarin e Tiranës. Ne do t’i qëndrojmë prapa.” – shtoi ai.