Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se dialogun me Serbinë do ta udhëheqë ai vetë në bazë të kompetencave kushtetuese.
Këtë deklaratë Hoti e bëri në një prononcim për Deutsche Welle, ndërsa ftoi dhe opozitën që t’i bashkohet procesit. Ai theksoi se integriteti territorial nuk do të preket.
“Dialogun e udhëheq kryeministri vendit, nuk do të bëj kurrfarë gare me askënd, sepse kompetencat i kam të qarta dhe janë betonuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Kam dërguar ftesë edhe tek opozita që të prezantojmë qasjen e qeverisë karshi dialogut Kosovë-Serbi. Një pjesë e opozitës ka heshtur ndaj ftesës sonë. Integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i padiskutueshëm. Marrëveshjet duhet të arrihen me njohje reciproke”, tha kryeministri Avdullah Hoti.
Sipas tij, njohja reciproke Kosovë-Serbi dhe anëtarësimi në OKB, është një nga objektivat e qeverisë së re.