Vendosni fjalën kyçe....

Ekzekutimet brenda dy javësh- Si po riaktivizohet krimi në Shqipëri


Në vetëm dy javë vendi është tronditur nga disa vrasje të cilët kanë riaktivizuar krimin në Shqipëri.

Nga ngjarja në Kurbin ku mbetën të vrarë dy persona të njohur edhe për botën e krimit, te vrasja e dy vëllezërve në një fshat të Krujës apo plagosja e Ardian Çapjas disa ditë më parë në Elbasan dhe ekzekutimi i sotëm në Komunën e Parisit në Tiranë, ka bërë që këto ngjarje të sjellin një bilanc të rëndë në pak ditë.

Po thuaj për dy javë plumbat i kanë marrë jetën 5 personave.

Atentati në Kurbin

Vrasja në Kurbin e datës 30 maj ku u ekzekutua biznesmeni Bujar Lika i cili njihet edhe si i mik i ngushtë i Ervis Martinajt si edhe Paulin Gjergji. Në këtë ngjarje mbeti i plagosur edhe Kreshnik Tusha.

Lika i cili njihet edhe me mbiemrin Hasani, dyshohej si i përfshirë në një ngjarje kriminale në Linzë në vitin 2015, ku mbeti i vdekur Enton Nikaj.

Në vitin 2016 Lika u dënua nga gjykata me një vit burg. Për këtë vrasje u dënuan gjithashtu: Emiljano Tasho 16 vjet, Erjon Biraci 2 vjet, Ervis Martinaj 1 vit e 4 muaj, Mirsad Kuçana 1 vit e 4 muaj dhe Bujar Hasani 1 vit burg. 

Por në Apel, Ervis Martinaj, Mirsad Kuçana dhe Bujar Lika që u vra mbrëmë morën pafajësi. Ndërsa Tasho u dënua përfundimisht me 14 vite për vrasjen e Enton Nikajt dhe Erjon Biraci 2 vite.

Vrasja e dy vëllezrve në Krujë

Ngjarja e rëndë ndodhi në datën 4 qershor rreth orës 22:25, në fshatin Gramëz.

Vëllezërit Gramoz dhe Xhontil Bardhi, përkatësisht 34 dhe 24 vjeç, kishin bërë sherr në një lokal me një bashkëfshatarin e tyre, Roland Pula.

Dy familjet sipas policisë kishin konflikte të vjetra me njëri-tjetrin, pasi shpesh herë kishin përfunduar në konfrontime fizike, por mbrëmë konflikti i tyre përshkallëzoi në përdorimin e armëve. 32-vjeçari Roland Pula përdori armën.

Dy vëllezërit ndërruan jetë gjatë rrugës për në spital, ku u shoqëruan nga dëshmitarët.

Një nga pistat që policia po heton është se një dekadë më parë, një nga djemtë e familjes Bardhi plagosi me thikë xhaxhanë e Pulës. Për krimin, ai kreu dënimin dhe doli nga burgu.

Dy familjet kanë pasur vazhdimisht përplasje për këtë ngjarje.

Plagosja e Ardian Çapjas

Ardian Çapja u plagosur me armë zjarri në datën 8 qershor në lagjen “Emin Matraxhiu”.

55-vjecari është qëlluar me snajper në kohën që ai po dilte nga shtëpia, dhe më pas u dërgua në Spitalin Rajonal të Elbasanit, dhe më pas në atë të Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar.

Autorët pas atentatit janë larguar nga vendngjarja me një makinë “Volsëagen”, duke e dërguar në periferi të qytetit të Elbasanit në varrezat e lagjes Fushë Mbret, ku më pas mjeti u gjet i djegur.

Nga inspektimi i policisë, në makinën e djegur u gjet  edhe një armë tip “Snajper”, që dyshohet të jetë përdorur në ngjarjen ku mbeti i plagosur në shpatull Çapja.

Ekzekutimi i Hekuran Billës

40-vjeçari Hekuran Billa, u vra mbrëmjen e së enjtes tek “Komuna e Parisit” në kryeqytet.

Policia dyshon se krimi është kryer nga vrasës me pagesë. Autorët besohet se e kanë gjurmuar 40-vjeçarin për të mësuar lëvizjet e tij dhe e kanë pritur derisa është ngritur nga lokali dhe ka lëvizur me mjet, për të qëlluar drejt tij me breshëri automatiku.

Në vendin e ngjarjes policia ka sekuestruar rreth 30 gëzhoja. Pak pas ngjarjes, është gjetur i djegur në Pezë të Vogël, që mendohet se i përket autorëve të atentatit.

Brenda automjetit u gjet arma MP5 automatike, e ngjashme me ato që përdor Garda, dhe është çuar në laborator. Kjo armë nuk rezulton e regjistruar në Shqipëri.

Po ashtu, mjeti Benz me portobagazh nuk rezulton i regjistruar. Targat e përdorura AA829 kanë qenë të vjedhura në Lezhë një vit më parë nga një mjet RENAUL.

Hekuran Billa, nuk është një emër i panjohur për drejtësinë.

Në vitin 2008, ai ekzekutoi me plumb në kokë Prel Markun, në një klub shqiptarësh në Londër. Ndërkohë që më herët ndaj tij kishte tre akuza për tentativë vrasje.

Billa nuk e ka kryer dënimin, por në rrethana ende të paqarta, ai ka ardhur në Shqipëri dhe ka hapur një biznes për dhënien me qira të makinave./Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *