HBO Max e ka vlerësuar filmin “Gone With the Wind” si racist dhe e ka tërhequr atë nga shërbimi i tij. HBO Max tha që filmi i vitit 1939 ishte “një produkt i kohës së tij” dhe përshkruan “paragjykime etnike dhe racore që ishin gabim atëherë dhe janë të gabuar sot”.
Javët e fundit, ndërsa protestuesit me pankartat “Black Lives Matters” mbushnin rrugët, shpesh thuhej se “racizmi është një virus”. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë shërbimi i ri i transmetimit HBO Max sapo gjeti kurimin. Dhe kjo është të mos transmetojë më filmin që ka fituar 10 çmime të Akademisë. Ironikisht këtu përfshihet edhe çmimi i parë për një afro-amerikane, Hattie McDaniel, për Aktoren më të mire në një rol dytësor.
Ky film i cili është i bazuar në romanin me të njëjtin emër nga Margaret Mitchell, konsiderohet gjerësisht si një nga filmat më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Mëkati i pafalshëm i filmit, është se ngjarjet zhvillohen në Jugun amerikan gjatë Luftës Civile dhe i përshkruan skllevërit me ngjyrë si një bandë e lumtur, e trajtuar mirë dhe që i adhuronte pronarët e tyre të bardhë.
Por nëse ndiqet kjo linjë, shumë nga filmat më të famshëm dhe më fitimprurës do duhej të hiqeshin nga transmetimi. Për shembull, të gjithë filmat e “Star Wars” për shkak të homofobisë që manifestohet në personazhin e C3PO, një stereotip fyes për të gjithë robotët homoseksualë.