Kompania ajrore gjermane ‘Lufthansa’ njoftoi të enjten se do të shkurtojë me mijëra vende pune në mes të parashikimeve të zymta për industrinë ajrore globale në vazhdën e krizës Covid-19.
Kompania tha se do të vijonte fluturimet me 100 avionë më pak, duke çuar në një tepricë prej 22,000 vendesh pune me kohë të plotë që përfshijnë 26,000 punonjës, në të gjithë grupin Lufthansa. Gjysma e humbjeve të vendeve të punës do të ndikojë në stafin në Gjermani, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Lufthansa paralajmëroi në fillim të këtij muaji se masat për uljen e kostove, përfshirë uljen e vendeve të punës, ishin në diskutim.
“Rimëkëmbja e kërkesës në sektorin e transportit ajror do të jetë e ngadaltë në të ardhmen e afërt”, tha Lufthansa, me anë të Drejtorit të Përgjithshëm, Carsten Spohr.
Spohr tha muajin e kaluar se pandemia është bërë sfida më e madhe në historinë 65-vjeçare të kompanisë.
Lufthansa pësoi një rënie prej 98 përqind të pasagjerëve në prill dhe një rënie prej 26 përqind të numrave të udhëtarëve në tremujorin e parë të saj në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Humbjet neto të tremujorit u rritën në 2.1 miliardë euro, krahasuar me humbjet prej 342 milionë eurosh gjatë të njëjtëve muaj në vitin 2019.