Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar lidhur me raportin e DASH-it mbi liritë e besimit fetar për Shqipërinë.
Ai e konsideron me rëndësi të madhe vlerësimin për harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare në vendin tonë.
Meta kërkon që autoritetet shtetërore të vlerësojnë me përparësi të gjitha shqetësimet e ngritura në raportin e DASH-it dhe të marrin zgjidhje ligjore pa zvarritje të mëtejshme.
“E përshëndes raportin realist të DASH mbi liritë e besimit 2019 për Shqipërinë, dhe e çmoj me rëndësi të madhe vlerësimin për harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare në vendin tonë. Ndaj të njëjtat konkluzione me gjetjet e raportit, ku evidentohen shqetësimet e komuniteteve fetare për moskthimin e pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist, si dhe vështirësitë për marrjen e lejeve nga disa autoritetet lokale për ndërtimin e institucioneve të kultit. Apeloj që të gjitha shqetësimet e ngritura në raportin e DASH, veçanërisht lidhur me trajtimin e pronave dhe pengesat administrative e burokratike të vlerësohen me përparësi nga autoritetet përgjegjëse shtetërore dhe të marrin zgjidhje ligjore pa zvarritje të mëtejshme.
Ky proces, do të ndikonte në forcimin e pavarësisë të komuniteteve fetare dhe do t’i mbante ato larg ndikimive të huaja, që synojnë dëmtimin e harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare. Duhet një reagim energjik dhe i sinqertë, institucional shtetëror për të zgjidhur përfundimisht çështjen e pronës së komuniteteve fetare duke u dhënë fund praktikave burokratike dhe korruptive”, shkruan Meta.
Departamenti amerikan i Shtetit publikoi të mërkurën raportin e tij vjetor mbi gjendjen e lirisë së besimit në botë, duke paraqitur të dhëna për gjendjen e lirisë së besimit në 200 shtete e territore dhe dokumenton shkeljet e kryera nga qeveritë, grupet terroriste dhe individët.
Në pjesën për Shqipërinë, thuhet se Kushtetuta e garanton lirinë e besimit. Ajo përcakton se nuk ka një fe zyrtare, thotë se shteti është neutral në çështjet e besimit, njeh barazinë dhe pavarësinë e grupeve fetare dhe ndalon diskriminimin në baza fetare.
Qeveria ka marrëveshje të veçanta me komunitetet fetare dhe ligji përcakton që qeveria do të japë mbështetje financiare për to. Por marrëveshja e qeverisë me Vëllazërinë Ungjillore Shqiptare (VUSH) sipas ligjit nuk e përcakton në mënyrë të qartë atë që të marrë një mbështetje të tillë, dhe me gjithë raportimin e VUSH-it qeveria nuk ndau fonde.
DASH thotë se Komuniteti Islamik i Shqipërisë dhe ai Bektashi ngritën shqetësime në lidhje me ringritjen e kërkesave të tyre në sistemin gjyqësor si dhe raportuan probleme për statusin e pronave të caktuara. Drejtuesit e VUSH-it vazhduan të raportojnë vështirësi në blerjen e tokës për ndërtimin e vendeve të adhurimit dhe problemet në lidhje me tarifat e qeverisë komunale.