Vendosni fjalën kyçe....

Përgjigje për liderin e vetëm të opozitës, zotin Luli Basha


Nga Endri Shabani

Për të gjithë ata që këto kohë kanë bërë sikur nuk e kuptonin se nga buron lumi i sulmeve ndaj meje dhe kolegëve të mi, sot kanë një provë që nuk mund ta injorojnë: Sot, organi zyrtar i Bashës, Gazeta “Rilindja Demokratike”, që lindi si zëri i njerëzve të lirë, por që ndërroi jetë rrugës, publikoi një fletërrufe për mua, duke më cilësuar si “i keqpërdoruri i Ramës”. Mendoj se titulli origjinal duhet të ketë qenë “i shfrytëzuari nga Rama”, por dikush në redaksi, me të drejtë, do kenë vërejtur që një titull i tillë do krijonte përshtypjen e gabuar se e kishin fjalën për Bashën. Kështu që e kanë korrigjuar menjëherë, pasi partia nuk i toleron keqkuptimet.

Duhet të ketë qenë stinë e mbarë, pasi vetëm në muajt e fundit kjo është hera e tretë që unë bëhem tabelë qitjeje për sulmet telendisëse që vijnë nga frëngjitë e pushtetit apo nga llogoret e opozitës. Herën e parë ishte Rama me kalaverinë e tij të betejave virtuale, fill pasi ne dorëzuam në SPAK kallëzimin penal për konçesionin e sterilizimit. Herën e dytë, ishte njeriu i librave, filantropi Zamir Mane, i cili u bezdis që ne mbështetëm minatorët dhe i nxitëm ata ta sillnin protestën e tyre në Tiranë. Dhe nuk kishte se si të mungonte në këtë orkestër simfonike, edhe lideri i vetëm i opozitës, pishtari i demokracisë, dëshmori i gjallë i rezistencës, zoti Luli Basha.

Zoti Luli Basha, që pasi u marrëveshos sërish me Edi Ramën, duket se i ka dalë kohë e lirë të merret me mua, duke më vërsulur një kope me aspirantë e militantë, ku secilit i ka dhënë nga një detyrë, sikur ta kishte partinë fabrikë këpucësh. Njëri sajon format, një tjetër sjell lëndën e parë, dhe në fund fasonët godasin me çekiç.

Gjynah që gjithë kjo energji dhe para shkojnë për të prodhuar opingat e Sheros, të cilat vazhdojnë të fusin ujë. Por të paktën tashmë e dimë se çfarë bën Luli Basha me ato qindra milionë lekët që i japim çdo vit për të bërë opozitë. Ku e ku më mirë që lekët e taksave të mia, të shkojnë për fasonët e fjalës, se sa të fshihen në vilat e oligarkut Papuli. Në fund të fundit, edhe fasonët meritojnë nga një bugaçe të ngrohtë.

“Po ç’thonë për ty?” – Do më pyesësh ti gjithë kërshëri

Ç’të të them – do të të përgjigjesha unë. Teletajë, teletajë. Më vijnë vërdallë të më gjejnë nëse kam qenë ndonjë ditë ministër i jashtëm, i brendshëm apo i rrugëve, po ëhë, hiç. Kërkojnë mos kam qenë ndonjë natë kryetar bashkie, a deputet, po edhe aty hiç o gjë, se nuk kam qenë asnjë ditë në zyrat e shtetit, dhe deri më sot nuk kam përfituar asnjë qindarkë nga paratë e taksapaguesve. Madje edhe një herë që më gënjeu mëndja dhe aplikova për fondin e ekselencës, më thanë “provoje përsëri”.

E kështu, duke mos më gjetur dot asnjë kusur mbi supe, vendosën të më qortojnë për shoqëri të keqe. Dhe nuk u munduam shumë, se metodat i kanë pasur gati në sirtarët e byrosë politike. Aty kanë gjetur manualet e luftës së klasave si dhe libra me diversantë që vinin nga Oksfordi i Oksidentit të largët. I kanë mësuar përmendësh poezitë e ëmbla të sigurimit të shtetit, dhe nuk gjejnë rast pa i recituar nga frika se mos harrojnë ndonjë varg.

“Po me ty ç’kanë?” – do më pyesësh ti, sërish.

Nuk e ka me mua, e ka me ty. Shqetësimi kryesor i Lulit është ankthi nga konkurenca për vëmendjen tënde. Ai kujton se çdo njeri që i rri pranë i bën hije, dhe kjo është mënyra se si ai e përballon garën. Thonë që kur ishte i vogël, në vend që të vraponte më shpejt, ai të fuste stërkëmbëshin. Mos e shiko kështu si pulë përballë pushtetit, por kur vjen puna tek opozita, aty ai është një luan i vërtetë. Dhe si çdo luan ai merr vetëm copën e luanit. Ja p.sh në zgjedhjet e 2017 ai e çoi partinë e tij në një fitore historike prej plot 28% të votave. Si një menaxher i zoti, ai shkurtoi shpenzimet e tepërta, duke krijuar një grup parlamentar efiçent, me 7 deputetë më pak seç kishte gjetur. Si e thotë edhe shprehja “shumë e për lumë”.

Ne nuk ia marrim për keq sulmet, sepse e dimë që ai vuan nga sëmundja kronike e memories afatshkurtër, ose, siç njihet me emrin shkencor “amnezia elektorale”. Ne e dimë që nëse ai nuk do vuante nga memoria e dobët, do i kujtohej që në 2017 i ka marrë votën shqiptarëve për të hapur listat. Por kjo sëmundje e mallkuar e ka katandisur që një herë premton proporcional me lista të hapura, një herë tjetër sistemin mazhoritar, për ta përmbyllur me qëndrimin që mirë e kemi me lista të mbylllura.

Kështu që ai, duke mos mbajtur asnjëherë asnjë premtim, nuk arrin ta kuptojë dot se si ne, një tufë çupash e çunakësh, mund të luftojmë për një gjë që ia kemi premtuar 50 mijë firmëtarëve të peticionit, 260 shqiptarëve që na kanë dhënë kursimet e tyre për turin kombëtar, dhe dhjetëra mijëra të tjerëve që na kanë ndjekur në këtë fushatë dy vjeçare. Pra, me fjalë të tjera, ne nuk mërzitemi se e dimë që nuk na sulmon ngaqë do, por ngaqë nuk mban mënd.

Jo vetëm kaq, por unë besoj se sulmi i Lulit vjen edhe si forcë zakoni. Ja për shembull, më sulmoi sepse unë po mbroja protestën-marshim që u organizua një javë më parë kundër dhunës ndaj vajzave, dhe papërgjegjshmërisë së institucioneve: që nga qeveria, tek policia dhe shkolla. Kjo ishte një protestë masive, të cilën Luli është kail t’ja njohë si meritë Ramës, vetëm që meritat e saj të mos i marrin ata që i bëjnë atij hije.

Luli nuk është budalla të mos e kuptojë që duke thënë se këtë protestë e bëri qeveria, ai praktikisht po thotë që edhe pasi çfarë (nuk) i ka bërë këtij populli, Rama motivon më shumë njerëz se ai. Por frika më e madhe e tij nuk është Rama, se ai nuk po konkuron për kryeministër. Makthi më i madh i këtij lideri të vogël është të zgjohet një mesditë dhe të shohë që shoqëria opozitare ka ecur përpara, dhe ky ka mbetur mbrapa.

Si një biznesmen i talentuar, Luli ka kuptuar se monopoli i opozitës mund të jetë një biznes fantastik, pasi nuk kërkon të ndërmarrësh risqe, të jesh kreativ, apo të punosh. Mjafton të ulesh në rrëzë të pemës, dhe të mbash larg çdo njeri që vjen me sëpatë në dorë. Pastaj, fap shapkën mbi sy, derisa lisi të këputet nga pesha e vetë. Pra, Luli, si të thuash, është një biçim oligarku i politikës. Ashtu si Zamiri, Çeti dhe Vilma kërkojnë monopole në biznes, Luli kërkon të mbajë monopolin e opozitës. Dhe si një korist i stonuar, në vend që ai ta luajë fundshpinën dhe të dalë në ballë të zërit opozitar, ai preferon t’i shuajë zërat një nga një, duke harruar që kordat e tij nuk i përballojë psalmet e shpresës.

**“Po, edhe ju, lëreni rehat, dreqin!” – mund të më thuash ti, cakërqejf. **

Po ja mo, e lamë. E mbyllëm gojën ne. Pa më thuaj pak çfarë do bëjë ai me monopolin opozitar? Ose më saktë, çfarë do bëjë më shumë se mrekullitë e këtyre 7 viteve të fundit? Mos e ngacmo njëri, mos e ngacmo tjetri, shkoi dhe i fali Ramës parlamentin, bashkitë, këshillat bashkiak, reformën administrative dhe tashmë edhe reformën zgjedhore. Pa më thuaj çfarë ka mbetur pa i falur, që ta mbyllim gojën derisa t’ia falë edhe atë, e të bjerë rehat?

Por kam frikë se këtë herë, nuk ka më lidhje se kush flet apo kush hesht, pasi shoqëria ka filluar të artikulohet vetë. Nuk ka buf apo kukumjaçkë që nuk e ka kuptuar se ky sistem që kemi është si ato frigoriferët obodin që prodhoheshin në Jugosllavi. Prej 30 vitesh çdo peshk që hyn aty qelbet nga koka tek këmbët, sepse Obodinit ka kohë që i është djegur motori. Prandaj, sot ka ardhur koha për një frigorifer të ri, dykatësh, nga ato që nuk harxhojnë shumë, dhe nuk bëjnë zhurmë. Ta heqim qafe Obodinin jugosllav, pastaj shkruajmë çfarë të dojë Luli te dera e frigoriferit. N’dashtë “Luli, lideri i vetëm i opozitës”, në dashtë “Luli, vetëm lider i opozitës?” apo “Luli, lideri i vetmuar i opozitës”?.

Ai me të drejtë mund të ankohet që “Po ju keni 30 vjet që duroni erën e qelbur të Berishës, Nanos, Metës, Ramës, dhe tani që më erdhi radha mua dashkeni ta ndryshoni frigoriferin?”. Por unë, duke bërë sikur e kam harruar aromën e luleve kur ai ishte në pushtet, do i thoja që: “Na fal Luli, por nuk kemi më kohë. Në fund të fundit, ne nuk jetojmë as për ty, e as për Ramën, por për familjen tonë”. Se kur të vjen ai momenti i përballjes me fëmijën, dhe ai të bën pyetjen therrëse “Po ti çfarë bëje kur Rama jua vinte shkelmin në fyt”, ne nuk kemi ndërmend t’i themi “po prisnim Lul Godonë”.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *