Prokurorët italianë do të marrin në pyetje kryeministrin Giuseppe Conte dhe dy ministrat e shëndetësisë dhe atë të brendshëm për mënyrën se si qeveria trajtoi pandeminë e koronavirusit.
Prokurorët nga Bergamo, qyteti në rajonin verior të Lombardisë së goditur nga virusi, kanë nisur një hetim për krizën, e cila ka vrarë mbi 34,000 njerëz në Itali.
Prokurorët po hetojnë në mënyrë të veçantë pse zona rreeth qyteteve Nembro dhe Alzano nuk u shpall zonë e kuqe në muajin shkurt. Zyrtarët rajonalë dhe qeveria fajësojnë njëri-tjetrin për këtë.
Deri tani, ekipi i udhëhequr nga kryeprokurorja Maria Cristina Rota, ka marrë në pyetje kreun e rajonit të Lombardisë Attilio Fontana dhe ministrin e tij të shëndetësisë Giulio Gallera. Ata këmbëngulin se i takonte Romës të vendosë për mbylljen e zonave.
Codogno u mbyll më 21 shkurt. Lombardia dhe 14 provincat në rajonet fqinje Veneto, Piemonte dhe Emilia Romagna u mbyllën më 8 Mars, dhe e gjithë Italia u mbyll dy ditë më vonë.
Gallera thotë se që në datën 23 shkurt ka qenë e qartë se kishte shumë raste në zonat përreth Nembro-s dhe Alzano-s, qytete në provincën e Bergamos, por qeveria nuk kishte arritur të veprojë.
Por kryeministri Conte thotë se “nëse Lombardia do të kishte dashur mund t’i kishte shpallur vetë zona të kuqe Alzano-n dhe Nembro-n”.