Voltana Ademi, ka reaguar ashpër lidhur me shembjet e ndërtesave në plazhin e Velipojës. Ajo u përball me inspektorët e IKMT-së duke i kërkuar vendimin për prishjen e ndërtesave, dhe theksoi se këto po bëheshin pa urdhrin e saj.
Zonja Ademi tha se ajo kishte kërkuar se nëse do të merrej një vendim për prishjen e lokaleve pa leje në zonën e plazhit, kjo të bëhej nga shtatori, pasi të kishte mbaruar sezoni turistik.
“Unë dje kam marrë një telefonatë nga Ministria e Mjedisit dhe dje kemi qenë në takim. Ndërkohë që po hyja në takim jam njoftuar se kishin filluar që të rrethonin objektin duke përdorur edhe emrin e Bashkisë Shkodër. Sigurisht Bashkia Shkodër bën fjalë për procedura të ndejkura para disa vitesh, që kanë ndjekur një rrjedhë logjike dhe gjyqësore.
Ja kemi vënë në dispozicion sepse nuk kemi asgjë të fshehim, por kemi diskutuar kur ishin ministri dhe të gjithë përfaqësuesit këtu që ndoshta ishte momenti për të vlerësuar të gjitha objektet në bregdet që ishin stacione plazhi dhe shërbime. Duhet të keni në konsideratë se policia e shtetit, në momentin që i lejon duhet të marrë përgjegjësinë për t’i dalë përballë njerëzve. Dhe unë kam kërkuar zbatim rigoroz jo selektiv i ligjit. Nëse bëhet fjalë për ndërtime pa leje, kam kërkuar që në fillim të sezonit turistik të mos prishen, maksimumi të shihej mundësia e verifikimit dhe vënies në shfrytëzim, dhe nga ana tjetër nëse do të kishte një vendim për prishje, të mund të bëhej në shtator.”– tha Ademi para gazetarëve.
Ajo shtoi se do të ankohej tek ndërkombëtarët për përdorimin e emrit të saj.
“Vendimet e djeshme duke përdorur emrin tim dhe Bashkisë Shkodër, do të përballem me ministrin dhe IKMT, do të bëj ankesën time dhe pranë autoriteteve ndërkombëtare që kemi ambasadorë në Shqipëri. Të gjithë që paraqiten për të prishur do t’i shpjegojë dhe ligji. Kur ka një vendim të IKMT, është Bashkia e Shkodrës që jep urdhrin”, tha kryebashkiakja.