Kreu i Partisë Dedmokratike, Lulzim Basha, këtë të premte ka shkuar në Berat ku është takuar me fermerët.
Ai thotë se ka dëgjuar shqetësimet dhe vështirësitë me të cilat fermerët përballen çdo ditë. Kryedemokrati akuzon qeverinë se nuk ka dhënë asnjë subvencion për produktet e fermerëve.
“Në Berat takova dhjetra fermerë që më treguan për shqetësimet e tyre dhe vështirësitë që përballen çdo ditë.
Janë familje që me punën në bujqësi nxjerrin të ardhura për të mbajtur familjet e tyre. Pandemia e ka thelluar krizën dhe karantina ju shkaktoi një dëm të madh duke i detyruar të hedhin prodhimet e tyre që nuk kishin mundësi t’i nxirrnin në treg. Qeveria i braktisi në ditë të vështira ndërsa për 7 vite me radhë ua shtoi faturat dhe hallet duke ua bërë të pamundur mbijetesën.
Fermerët kudo në Shqipëri ndiejnë sot më shumë se kurrë harresën e qeverisë dhe moskujdesin ndaj agrobiznesit.
Asnjë subvencion për produktet e tyre, ndërkohë që çmimet janë rritur e nafta është më e shtrenjta në rajon. RAMAVIRUSI nuk mund t’i mbulojë dështimet e tij fatale për bujqësinë me gënjeshtrat e dala boje.”– thotë Basha.
Kreu i PD-së thotë se ai ka një plan të detajuar për ta nxjerrë bujqësinë nga kriza, e për ta kthyer në sektor fitimprurës.
“Ne kemi një plan të detajuar për t’a nxjerrë bujqësinë nga kriza e për t’a shndërruar në një sektor fitimprurës për fermerët dhe vendin.
Do t’a nisim me mbështetje direkte për çdo fermer në bazë të prodhimit, me uljen e çmimit të naftës, lehtësimin e aksesit në treg, heqjen e monopoleve që vdesin konkurrencën dhe mbështetje të prodhimit vendas.
Bashkë do t’i japim shqiptarëve një qeveri normale që garanton shanse të barabarta për ta dhe normalitet e punësim.”– thotë kryedemokrati.