Vendosni fjalën kyçe....

Ishte i dënuar me burgim të përjetshëm, ILD reagon pas vrasjes së Hekuran Billës


Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka reaguar lidhur me ekzekutimin e 40-vjeçarit Hekuran Billa, në zonën e “Komunës së Parisit” mbrëmjen e kaluar.

ILD thotë se ka nisur verifikimin për veprimet e gjykatave, lidhur me informacionet që kanë qarkulluar në media lidhur me vrasjen e 40-vjeçarit dhe të dhënat se ndaj atij ishte dhënë një vendim me burgim të përjetshëm.

“Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka ndjekur informacionet publike lidhur me vrasjen mbrëmjen e kaluar të Hekuran Billës në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë dhe të dhënat se ndaj këtij shtetasi ishte dhënë një dënim me burgim të përjetshëm.

Duke marrë shkas nga faktet e bëra publike në media ditën e sotme, zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka nisur verifikimin e këtyre fakteve dhe të rastit”- thotë ILD-ja.

Hekuran Billa i cili u vra mbrëmë me breshëri automatiku, nuk ishte emër i panjohur për drejtësinë. Ai ishte i akuzuar për “Vrasje” dhe “Vrasje në tentativë” dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Billa akuzohet se më 14 tetor të vitit 2006 në një klub nate në Mbretërinë e Bashkuar, ka qëlluar për vdekje me armë zjarri 22-vjeçarin Prel Marku, nga Shkodra.

Pas dënimit me burgim të përjetshëm nga autoritetet britanike në mungesë, Billa u arrestua në nëntor të 2007-ës në Shqipëri.

Gjyqtari Altin Abdiu në 13 maj 2014 ka vendosur të njohë dënimin me burgim të përjetshëm që Hekuran Billa kishte marrë në Angli. Ndërsa në 20 korrik 2016 gjyqtari Lefter Jahaj, ka vendosur të ndryshojë vendimin e gjykatës së Tiranës për njohjen e burgut përjetshëm dhe dënimin e tij përfundimisht me 25 vite burgim. Në vendimin e tij gjykata thotë se Hekuran Billa duhet të vuajë dënimin nga dita e arrestimit në Shqipëri 15 nëntor 2007.

Por ai është liruar në muajin shkurt 2019.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *