Presidenti Meta ka dënuar shkatërrimin e një prej monumenteve të Parkut Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë.
Në një reagim ne Facebook kreu i shtetit shkruan se ky park arkeologjik është pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e fondit të vyer të trashëgimisë kulturore.
Meta shkruan se kjo është një ngjarje tejet e rëndë dhe bën thirrje për nisjen e një hetimi të menjëhershëm për vënien para përgjegjësisë të autorëve apo nxitësve të tyre.
“Dënoj me forcë aktin barbar, taleban dhe anti-kombëtar të shkatërrimit të një prej monumenteve të Parkut Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë, pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e fondit të vyer të trashëgimisë kulturore kombëtare. Thellësisht i tronditur nga kjo ngjarje tepër e rëndë, apeloj me forcë nisjen e një hetimi të menjëhershëm dhe vënien para përgjegjësive ligjore të autorëve dhe frymëzuesve të tyre, të cilët duhet të marrin një dënim shembullor.” – shkruan Meta.
Më tej Meta thekson se çdo sulm ndaj trashëgimisë kombëtare siç ishte rasti i prishjes së Teatrit Kombëtar është sulm ndaj identitetit kombëtar.
“Çdo sulm ndaj trashëgimisë dhe vlerave tona kombëtare, sikundër ndodhi edhe me shembjen e Teatrit Kombëtar, është sulm i drejtpërdrejt ndaj identitetit tonë kombëtar.
Bëj thirrje për nisjen pa zvarritje të projektit të restaurimit dhe forcimin e masave për mbrojtjen e monumenteve të kulturës në të gjithë vendin, që rastet e fundit dëshmojnë se po rrezikohen nga akte barbare që as pushtuesit nuk kanë guxuar t’i bëjnë.
Barbaria dhe talebanizmi nuk kanë vend në shoqërinë tonë!” – mbyll reagimin e tij Meta.