Ministria e Brendshme dhe Ministria e Jashtme në Francë kanë njoftuar se nga 15 qershori do të largohen kontrollet kufitare për udhëtarët që vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian.
“Duke e marrë parasysh gjendjen favorizuese të situatës shëndetësore në Francë dhe Evropë dhe në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian, Franca nga 15 qershori do t’i largojë të gjitha kufizimet në udhëtime në kufijtë e vet të brendshëm evropian (tokësorë, ajrorë dhe detarë), të cilat janë zbatuar për ta luftuar pandeminë Covid-19”, thuhet në deklaratën e këtyre ministrive.
Aty shtohet se në Francë pa kufizime do të mund të hyjnë udhëtarët që vijnë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe ata nga Andorra, Islanda, Lihtenshtajni, Monako, Norvegjia, San Marino, Zvicra dhe Vatikani, shkruan “Reuters”.
Në deklaratë gjithashtu njoftohet se përmes reciprocitetit, masat kufizuese, përfshirë karantinën dyjavore, do të vazhdojnë të zbatohen në kufijtë me Spanjën dhe Britaninë e Madhe.
Ndryshe, Franca është një ndër vendet evropiane me më së shumti persona të infektuar dhe të vdekur nga sëmundja Covid-19. Deri tash, në këtë shtet janë regjistruar 29,374 të vdekur dhe 156,287 të infektuar.