Nga Prof.Bardhyl Musai
Njëzet vjet më parë, kur në Shqipëri kishim filluar të zbatonim metodologjinë për zhvillimin e të menduarit kritik të nxënësve dhe studentëve, vjen një profesor nga Universiteti i Ohajos në SHBA. Midis tij dhe një mësuesi të Gjeografisë, i cili shquhej për kujtesën e jashtëzakonshme, zhvillohet ky dialog:
– Cili është lumi më i gjatë në Ohajo? Profesori amerikan i përgjigjet.
– Cila është maja më e lartë në Ohajo? Profesori amerikan i përgjigjet.
– Cilët janë pesë presidentët e SHBA-ve që kanë dalë nga Ohajo? Profesori amerikan përmend tre prej tyre dhe më pas merr një pamje serioze dhe i përgjigjet:
– Unë nuk kam pse të mbaj mend se cilët janë pesë presidentët e SHBA-ve që kanë dalë nga Ohajo, pasi këtë e gjej në internet, por di të shpjegoj arsyet pse kanë dalë nga Ohajo këta presidentë. Këtë më ka mësuar shkolla, jo të mbaj mend presidentët, por të shpjegoj arsyen, atë që ty nuk ta ka mësuar shkolla këtu.
E përmenda këtë fragment të shkurtër, por kuptimplotë, për të theksuar se kanë kaluar më shumë se dy dhjetëvjeçarë dhe ende shkolla jonë vazhdon të mbështetë edukimin e nxënësve në riprodhim, ndonëse jetojmë në një botë të “shpërthimit” të informacionit, me mënyra e mjete të ndryshme, ku tashmë teknologjia dixhitale po sjell ndryshimin epokal.
Ilustrimi më i mirë i këtij modeli të vjetruar të shkollës që po bëhet pengesë për përgatitjen e të rinjve për jetën dhe tregun e punës, është përmbajtja dhe organizimi i Maturës Shtetërore, e cila nga viti në vit shoqërohet me probleme që kanë në themel riprodhimin, këndvështrimin subjektiv e filozofik të trajtimit të temave e çështjeve, formulime të ngatërruara e të pakuptimta, duke e shmangur thuajse tërësisht mendimin e pavarur, kritik, krijues, shprehjen e këndvështrimeve personale dhe shprehitë për zgjidhjen e problemeve të maturantëve.
Këtë vit, i cili ka qenë jo i lehtë për maturantët, për shkak të COVID-19, por edhe të tërmetit të nëntorit në disa zona, në vend që t’i kushtohej vëmendje maksimale përmbajtjes dhe të lehtësoheshin sadopak nxënësit nga ankthi e stresi, ndodhi e kundërta. Madje, Ministria e Arsimit dhe QSHA nuk iu përmbajtën premtimeve dhe modeleve orientuese për hartimin e testit të Gjuhës dhe të Letërsisë.
Nxënësve u është deklaruar më parë përmes medies që nuk do të ketë ese, ndërkohë pjesa e parë e testit kontrollonte esenë. E quaj gabim tepër të rëndë që nxënësve t’u heqësh esenë, pasi ajo ndikon në mendimin e pavarur dhe krijues të maturantëve, në shprehjen e këndvështrimeve të ndryshme, në renditjen e argumenteve etj., etj. Madje, eseja joletrare duhet të jetë pjesë themelore e provimit të Maturës Shtetërore.
Nxënësit tanë që kanë shkuar këto vite për studime jashtë shtetit, veçanërisht ata me rezultatet të mira, nuk kanë pasur probleme me vazhdimin e universitetit pothuaj në shumicën e lëndëve, por të gjithë kanë pasur një problem jo të vogël me esenë. Shkolla jonë nuk i përgatit në këtë drejtim dhe ato pyetje-ese në provim nuk mund të konsiderohen ese të plota. Këtë mangësi shkolla jonë duhet ta kapërcejë sa më parë.
* * *
Testi i Gjuhës Shqipe dhe i Letërsisë demonstroi edhe një herë pohimin e mungesës së njohjes së kritereve për hartimin e tij, pasi nuk ka respektuar përshkallëzimin sipas niveleve të arritjes; nuk ka respektuar peshën specifike të fushave sipas programit; alternativat janë më shumë lojë me fjalën pa ndryshuar kuptimin apo detaje të tjera dhe si për t’u vënë kapak këtyre parregullsive, përdoren fjalë të huaja dhe të llojit kinematografik si në filma aksion: Cila nga fjalitë e mëposhtme mund të vijojë në të njëjtin stil aksionin e nisur në paragrafin e dhënë më sipër? Ka edhe formulime të tilla: Cila nga alternativat e mëposhtme është një tezë e përshtatshme dhe efektive për një ese bindëse që lidhet me vullnetarizmin?, për të vazhduar më pas me një fjalor të varfër, si p.sh.: bërtisnin nga euforia.
Ndërsa një nga pyetjet, e cila shoqërohet me një foto në test, ka këto alternativa të çuditshme:
A) njeriu në sfidë me kohën
B) njeriu në sfidë me natyrën
C) njeriu në sfidë me shoqërinë
D) njeriu në sfidë me teknologjinë
Sipas meje, çdo përgjigje është e saktë dhe kjo varet se nga cili këndvështrim e sheh nxënësi foton dhe e interpreton atë. Përgjigjja e nxënësit vlerësohet jo për atë pse mendon në një mënyrë apo në një tjetër, pse ka këtë këndvështrim e nuk ka tjetër, por sa është në gjendje të japë shpjegime dhe interpretime për këndvështrimin e tij apo të saj. Pyetja ka edhe gabim metodologjik, por nuk po vazhdoj më tej.
Këto ilustrime të thjeshta mjaftojnë për të kuptuar çdo lexues se testi i Maturës Shtetërore i këtij viti, në kompleks, ishte një fyerje, nëpërkëmbje e maturantëve, të cilët u zhgënjyen që në provën e parë për sfidën e jetës, duke u ngjallur indinjatë për sistemin arsimor, që mundin e tyre të dymbëdhjetë viteve e zhvlerëson në këtë mënyrë.
* * *
Edhe Matura Shtetërore e vitit 2019 u shoqërua me probleme jo të pakta. Thelbi i diskutimit, dhe më shqetësues, vazhdon të mbetet ai i ndërtimit të testeve dhe i rezultateve ende të ulëta në lëndën e Gjuhës dhe të Letërsisë. Ky testim, për shkak të disa problematikave që burojnë kryesisht nga natyra specifike e lëndës së letërsisë; tipari themelor i së cilës ka qenë dhe mbetet subjektiviteti dhe në vite ka ngjallur diskutime sikurse edhe këtë vit, por ende pa zgjidhje.
T’u referohemi statistikave në raportin zyrtar të QSHA-së (Qendra e Shërbimeve Arsimore). Nga shkolla janë vlerësuar me notën 10 në të gjitha lëndët 1009 maturantë, që përbëjnë 2.88% të 34,970 pjesëmarrësve në provime. Asnjë nxënës nuk ka marrë notë 10 në të katër provimet e Maturës Shtetërore, vetëm 8 prej tyre kanë 10 në dy provime dhe 74 nxënës kanë 10 në një provim. Me notën 10 në provimin e Gjuhës janë vlerësuar 0,46%, ose 160 nxënës. Ndërsa me notën 10 janë vlerësuar në Matematikë 5.81%, ose rreth 2030 nxënës. Mospërputhjet midis notave të shkollës dhe të provimeve të Maturës Shtetërore, sikurse shihet, janë të ndjeshme, por ajo që bën përshtypje janë diferencat, më shumë se 10 herë, të notave 10 në Gjuhë krahasuar me ato në Matematikë.
Përfaqësuesit e QSHA-së, në ballafaqimin me mësuesit, në vend që të zhvillojnë diskutim dhe analizë profesionale, e konsiderojnë këtë përballje sikur të jetë ndeshje futbolli dhe veprojnë sipas parimit, “sulmi është mbrojtja më e mirë”. U sulen mësuesve duke i fyer se nuk dinë të vlerësojnë dhe kjo, sipas tyre, është arsyeja që ka kaq pak nota 10 në Gjuhë. Jam i bindur se vetëm në gjimnazet kryesore e me traditë të Tiranës, numri i maturantëve me notë 10 reale mund të jetë 300-400 a mos më shumë.
Kanë kaluar 15 vjet që nga zbatimi i parë i modelit të Maturës Shtetërore dhe shumë pak gjëra kanë ndryshuar, në fakt jo për mirë; me ato defekte tashmë të evidentuara që në fillimet e saj. Matura Shtetërore kërkon analizë të thellë, trajtim me seriozitet e përgjegjshmëri të problematikës së saj të ndërlikuar, duke u dhënë përgjigje dy pyetjeve themelore: Çfarë duhet të ndryshojë dhe Pse duhet të ndryshojë.
Studiuesi McNeil, në librin e tij “Kontradiktat e reformës shkollore”, të botuar në vitin 2000, në lidhje me natyrën e vlerësimit midis të tjerash, thekson: “Një sistem arsimi që…përdor këto mënyra vlerësimi, për vendime kaq të rrezikshme, si dhënia e notës dhe diplomimi nga shkolla e mesme, përjashton mundësinë e diskutimit të asaj çka ka mësuar nxënësi për sa i përket zhvillimit të tyre njohës dhe intelektual, për sa i përket përparimit, për sa i përket ndërgjegjësimit shoqëror dhe ndërgjegjes shoqërore, për sa i përket zhvillimit shoqëror dhe emocional. Është njësoj sikur “një fëmijë me pamje të plotë, të jetë kthyer në një vizatim karikaturë”.
Në praktikën e politikëbërjes të institucioneve arsimore në qendër, ku njëri prej tyre është QSHA-ja, është i ngulitur koncepti se testimet a provimet janë për të vlerësuar njohuritë e nxënësve. Ky koncept është tashmë i vjetruar për kohën që jetojmë ndaj kërkesave që shtron shoqëria para shkollës. Ai lipset të çrrënjoset e në vend të tij të zbatohet praktika se testimet a provimet bëhen që të vlerësojnë se çfarë janë në gjendje të bëjnë nxënësit me dijet që zotërojnë. E që të realizohet ky koncept i ditëve të sotme, Matura Shtetërore në teste duhet të përfshijë pyetje e detyra ku nxënësit të vënë në zbatim aftësi intelektuale të shumta, si të menduarit kritik, zgjidhja e problemeve, të cilat janë dëshmi e potencialit të të nxënit.
* * *
Matura Shtetërore ka pasur probleme të vazhdimësisë që nga zbatimi i saj. Përgjegjësi për këtë mbajnë ministrat e Arsimit që nga viti 2005, të cilët, pa dashje apo me qëllim, kanë kontribuar në degradimin e më pas në rrënimin e Maturës Shtetërore. Kjo që ndodhi së fundmi me testin e Gjuhës e të Letërsisë e rrëzoi përtokë. Tashmë, ministrja e Arsimit dhe drejtorja e QSHA-së, kjo dyshesimbol i paaftësisë, të mos merren me justifikime të tilla se “testi nuk ka gabime”, më kot e kanë, minareje nuk mund të futet në thes. Atyre nuk u ka mbetur gjë tjetër, veçse të organizojnë funeralin e Maturës Shtetërore.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Gazeta Panorama