Policia e Durrësit ka sekuestruar pasuri me vlerë 2 milionë euro në Durrës.
Sekuestroja i është vendosur shtetasit me iniciale P.T 51 vjeç.
Për këto pasuri, policia dyshon se janë përfituar nga veprimtari kriminale të trafikimit të drogës dhe shfrytëzimit të prostitucionit.
Ky shtetas është dënuar më parë për “trafik narkotikësh” dhe “shfrytëzim prostitucioni”.
Njoftimi i policisë:
Vijon puna për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e aseteve që rrjedhin dhe janë përfituar nga veprimtaria kriminale.
Sekuestrohen pasuri me vlerë 2 milionë euro të dyshuara si të përfituara nga veprimtaria kriminale në fushën e trafikimit të drogës dhe shfrytëzimit të prostitucionit.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e aseteve të përfituara nga veprimtaria mkriminale, referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, në vitin 2017 materialet në ngarkim të shtetasit P. T., për veprën penale “Pastrimi i produketeve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në vijim të veprimeve, pas hetimeve të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Finanaciar në DVP Durrës u bë ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për vendosjen e masës së sigurimit pasuror, “Sekuestro të pasurive”, të shtetasit P. T., 51 vjeç, banues në Durrës, i dënuar për veprat penale “Trafikimi i drogave” dhe “Shfrytëzim Prostitucioni”.
Pasuritë e sekuestruara janë dy pallate dhe një bar hotel në lagjen Nr. 13 Durrës.
Shuma e sekuestrimit kap vlerën e 2 000 000 euro sipas çmimit të tregut.
Materialet shtesë i kaluan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.