Pas mbylljes së protestës së maturantëve për sot, ka reaguar kryetari i FRPD, Belind Këlliçi. Ai thotë se Komiteti për Maturën Shtetërore sapo ka mbyllur një mbledhje, ku nuk kanë vendosur t’u japin zgjidhje kërkesave të maturantëve.
“Ministria e Arsimit sot hoqi dorë nga çdo detyrim themelor që ka ndaj maturantëve e sidomos ndaj maturantëve të këtij viti që u goditën nga një tezë idiote, për idiotësinë e të cilës u shprehën këto dy ditë një numër i madh ekspertësh, pedagogësh e mësuesish të indinjuar.
Shparë përfundoi mbledhjen Komiteti i Maturës Shtetërore pranë Ministrisë së Arsimit. Ranë dakord për të zgjidhur hallin e tyre, jo të maturantëve. Ministria vendosi, në shkelje të ligjit e duke hequr dorë nga përgjegjësitë e veta, që rivlerësimin e provimeve do ta kryejë E NJËJTA QENDËR (QSHA) që ka hartuar tezën idiote. Pra merret me mend si do jetë rivlerësimi. Ministria po ashtu i lejoi kësaj qendre që TË PËRZGJEDHË AJO GRUPET E MËSUESVE QË DO TË RIVLERËSOJNË, duke shkelur ligjin dhe etikën, pasi mësuesit nuk janë në varësi të kësaj qendre por të Ministrisë dora vetë.
Në mbledhjen e Komitetit të Maturës që sapo përfundoi Ministria në mënyrë tinëzare, u koordinua madje edhe kur dhe si do dalin përgjigjet e pyetjeve (që duhej të kishin dalë me kohë) dhe ky koordinim u bë thjesht për të mbrojtur Ministrinë e jo për të lehtësuar dëmin që iu bë maturantëve, të cilëve u detyrohej para së gjithash një NDJESË TË MADHE PUBLIKE QË NUK UA KËRKOI KURRË.
Sot Ministria sapo u bë gardh për të mbrojtur veten duke braktisur maturantët në një tym informacionesh e veprimesh antilgjore.”– thotë Këlliçi.
Protesta e sotme e maturantëve ka përfunduar me një paralajmërim tjetër për protestë. Të vendosur përballë Ministrisë së Arsimit, maturantët protestuan sot duke kërkuar t’u plotësohen kërkesat e tyre lidhur me provimin e Gjuhë-Letërsisë.
Maturantët kërkojnë që notat që do dalin nga provimi i Letërsisë të hidhen poshtë.
”Ajo çka ne po kuptojmë është që na kërkuan një draft, ne e bëmë draftin, ua plotësuam kërkesat që ata kishin me përpikmëri dhe sërish e hodhën poshtë draftin. Ne sot ndihemi edhe më shumë të fyer. Kërkesat tona nuk janë marrë parasysh. Jo se nuk janë plotësuar, por nuk janë marrë parasysh. Kjo është akoma më e dhimbshme. Kemi dy ditë që po protestojmë këtu dhe kërkesat nuk po merren parasysh. Notat që do dalin nga ato provime duhet të hidhen poshtë. Ai test nuk mund të vlerësojë kapacitetin tim ose mësimet që unë kam marrë për 3 vite rresht. Ajo notë nuk është e vlefshme as për mua dhe as për maturantët e tjerë.”– tha një protestuese.
Pas të mbarojnë provimin e matematikës, maturantët do të mblidhen sërish nesër në orën 13:00 përpara Ministrisë së Arsimit.