Prokuroria e Durrësit e cila po heton çështjen e gjetjes së gjysmë milioni të eurove në një kamion ditën e djeshme, ka dërguar në Itali një letër porosi për të siguruar më shumë të dhëna.
Ku qëndroi shoferi, kë takoi, ku qëndroi i parkuar kamioni dhe kush kreu procedurat e doganës në portin e Barit janë disa nga përgjigjet që hetuesit shqiptarë presin nga homologët e tyre italianë, raporton ReportTv.
Për 498.850 eurot tashmë janë vendosur në sekuestro preventive me vendim të Prokurorisë së Durrësit shoferi ka mohuar të kishte dijeni për këto para. Po ashtu nuk ka parë askënd t’i fshehë në vendin e përshtatur.
Ndërkohë policia po punon edhe për shoqërimin e administratorit të kompanisë JA-ADA sh.p.k në pronësi të së cilës ishte kamioni, po ashtu i sekuestruar.
Ndërkohë policia ka dërguar në laboratorin e kriminalistikës edhe telefonin e shoferit për të kuptuar nëse ka pasur telefonata, mesazhe me persona që mund të qëndrojnë pas kësaj skeme pastrimi parash.
Paratë në pesë qese të zeza ishin fshehur në një aks lidhës të kamionit me karrocerinë ndërsa zbulimi i tyre u bë pas kontrolleve me skaner dhe atë fizik të kryer nga policia kufitare.