Maturantët janë vendosur përsëri përpara Ministrisë së Arsimit, duke protestuar lidhur me provimet që do përcaktojnë shkollimin që do të ndjekin.
Maturantët shprehen ashpër kundër zyrtarëve të arsimit të lartë, duke e konsideruar ministren e arsimit Besa Shahini si papërvojë dhe duke dënuar deklaratat e zv.ministres Nina Guga, e cila nuk i adresoi kërkesat e tyre duke u thënë të përgatiten për provimet e radhës sepse “Cut off-i nuk negociohet me nxënësit”.
“Ndjej keqardhje për zv.ministrat që janë këtu, se ministrja tek e fundit është e re dhe ndoshta mund të mos ketë përvojën e duhur maksimale në programet e arsimit. Por unë dënoj rëndë deklaratën e zv.ministres së arsimit, e cila nuk ka marrë asnjë përgjigjësi për problemet e maturantëve.
Ta dini për të shtuar diçka, këta që kanë dalë këtu, pavarësisht se janë të paktë në numër, këta janë shpirti i vërtetë që kumbon për të drejtat e tyre dhe këta do të jenë deri në vetëmohim për të zgjidhur problemet që kanë.”– tha një nga protestuesit.
Maturantët besojnë se vendimi i Komitetit të Maturës Shtetërore për të riparë shpërndarjen e notave, nuk i përgjigjet kërkesave të tyre.
“Ajo nuk i është përgjigjur kërkesave tona. Kërkesat tona nuk janë hedhur fare në shqyrtim, sepse ato çfarë janë thënë janë thënë edhe përpara shqyrtimit. Që do thotë se kërkesat tona nuk janë lexuar, drafti jonë është lënë mënjanë dhe ne do protestojmë derisa ai draft të shkojë në dorë të sigurt dhe të lexohet dhe trajtohet nga skpertë të fushës.”-tha një nga maturantët.
Lidhur me pyetjen nëse do të paraqiten nesër për provimin e matematikës, ata shprehen se “Gjithçka varet nga protesta e sotme.”/Hashtag.al