Protesta e sotme e maturantëve ka përfunduar me një paralajmërim tjetër për protestë. Të vendosur përballë Ministrisë së Arsimit, maturantët protestuan sot duke kërkuar t’u plotësohen kërkesat e tyre lidhur me provimin e Gjuhë-Letërsisë.
Maturantët shprehen se vendimi i sotëm i Komitetit të Maturës Shtetërore, nuk i përgjigjet kërkesave të tyre. Ata kërkojnë që notat që do dalin nga provimi i Letërsisë të hidhen poshtë.
”Ajo çka ne po kuptojmë është që na kërkuan një draft, ne e bëmë draftin, ua plotësuam kërkesat që ata kishin me përpikmëri dhe sërish e hodhën poshtë draftin. Ne sot ndihemi edhe më shumë të fyer. Kërkesat tona nuk janë marrë parasysh. Jo se nuk janë plotësuar, por nuk janë marrë parasysh. Kjo është akoma më e dhimbshme. Kemi dy ditë që po protestojmë këtu dhe kërkesat nuk po merren parasysh. Notat që do dalin nga ato provime duhet të hidhen poshtë. Ai test nuk mund të vlerësojë kapacitetin tim ose mësimet që unë kam marrë për 3 vite rresht. Ajo notë nuk është e vlefshme as për mua dhe as për maturantët e tjerë.”- tha një protestuese.
Pas të mbarojnë provimin e matematikës, maturantët do të mblidhen sërish nesër në orën 13:00 përpara Ministrisë së Arsimit.