Këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, Larry Kudlow tha të dielën se ekonomia amerikane, më e madhja në botë, ka hyrë “tani në fazën e rimëkëmbjes” nga efektet e rënda të pandemisë së koronavirusit, që shkaktuan mbylljen e mijëra bizneseve. Megjithatë, ekpertët thonë se shifrat e papunësisë do të mbeten të larta për muaj me radhë.
“Mendoj se po rikthehemi. Viti 2021 do të jetë i fuqishëm”, i tha zoti Kudlow CNN-it.
Ai la të kuptohet se paketa kompensuese prej 600 dollarësh në javë që qeveria federale po u jep mbi 40 milionë punonjësve pa punë, përveç ndihmave sociale, ka gjasa të ndërpritet në fund të korrikut.
“Po i paguajmë njerëzit të mos punojnë. Në disa raste është më shumë se sa një rrogë”, tha ai.
Zoti Kudlow shtoi se një ndihmë e tillë për të papunët, mund të ishte e e kuptueshme në fazat e para të koronavirusit, kur bizneset u mbyllën, por jo kur ekononomia ka filluar të rimëkëmbet, shkruan Zëri i Amerikës.
Megjithatë ai tha se administrata e Presidentit Trump parashikon “një lloj shpërblimi për rikthim në punë”, për ata që kanë humbur vendet e punës, megjithëse jo aq sa është paguar në 2 muajt e gjysëm që kur filloi izolimi. Disa ligjvënës kanë sugjeruar një pagesë njëherëshe prej 1,200 dollarësh për punonjësit që rikthehen në punë.
“Ne duam që njerëzit të rikthehen në punë. Mendoj se njerëzit duan të rikthehen. Nuk duam të ndërhyjmë tek një gjë e tillë”, tha zoti Kudlow.
Ai tha se ndihma sociale për papunësinë nuk do të ndërpritej, por zakonisht ato janë diçka më pak se gjysma e asaj që paguhen punonjësit dhe variojnë nga shteti në shtet.
Pavarësisht nga vlerësimi optimist për ekonominë, zoti Kudloë tha se vazhdimësia e infeksioneve dhe vdekjeve në Shtetet e Bashkuara përbën shqetësim për rimëkëmbjen e pritshme ekonomike.
Ai tha se njerëzit duhet të vazhdojnë të respektojnë udhëzimet për distancimin fizik dhe të mbajnë maska aty ku është e nevojshme.
Shifra zyrtare e papunësisë në Shtetet e Bashkuara ishte 13.3% në maj, megjithëse zyrtarët thonë se pasi u vu re një gabim në llogaritje, shifra e sakte duhet të kishte qenë 16.4%.