Shefja e policisë në Atlanta, ka dhënë dorëheqjen pas vrasjes së një tjetër afro-amerikani, të cilin e kishte zënë gjumi në makinë.
Kryebashkiakja Keisha Lance Bottoms tha që shefja e policisë, Erika Shields, kishte dhënë dorëheqjen të shtunën. Protestuesit në Atlanta dolën në rrugë këtë fundjavë duke kërkuar drejtësi pas vdekjes së Rayshard Brooks.
Gjatë tre javëve të fundit, njerëzit në të gjithë SHBA-në kanë protestuar për vdekjen e George Floyd.
Të premten në mbrëmje, policia ishte thirrur në një restorant sepse një burrë e kishte zënë gjumi në makinën e tij, e ishte në parkim.
Mirëpo sipas policisë, 27-vjeçari ka reaguar duke i rrëmbyer një polici që kishte shkuar ta arrestonte, një “pajisje paralizuese” që ata përdorin kundër kriminelëve dhe ka tentuar të ikë. Në atë moment policët qëlluan 3 herë afro-amerikanin në shpinë.
Ai u dërgua në spital, por më vonë vdiq.
Erika Shields kishte shërbyer si shefe policie në Atlanta që nga dhjetori i vitit 2016 dhe në department kishte qenë për më shumë se 20 vjet. Ajo do të vazhdojë në departamentin në një rol tjetër.
“Për shkak të dëshirës së saj që Atlanta të jetë një model i Reformës në të gjithë vendin, shefja Shield ka ofruar që menjëherë të largohet si shefe e policisë në mënyrë që qyteti të mund të ecë përpara me urgjencë dhe të rindërtojë besimin të gjithë vendin tone, aq të nevojshëm për komunitetin”– tha kryetarja e bashkisë, citon BBC.
Njëri prej oficerëve të policisë të Atlantës, Garrett Rolfe, është pushuar nga puna, ndërsa tjetri, Devin Bronsan, është vënë në detyrë administrative.