15 pikëpyetje në 30 pyetjet e letërsisë
- Pyetja 33 janë dy alternativa asnjëra krejtësisht e saktë, por të dyja me nga një pjesë të saktë: pra as shkallëzim dhe apostrofë, as pasthirmë dhe enumeracion, por enumeracion dhe apostrofë
- Pyetja 34, alternativa d që është dhënë si e saktë është e gabuar, pasi e sakta është kombinimi i alternatinës c me një pjesë të alternativës d (ndonëse kjo alternativë është formuluar gabim – imazhet në këtë stofë nuk ngjeshen (“ngjesh imazhet”) dhe sidomos ato nuk kanë ritëm që të shpejtohen (pak më parë u është kërkuar nxënësve të vënë në pah mungesën e foljes – po ritmin nga ta gjejnë pastaj???)
- Pyetja 37, nuk është vetëm njëra alternativë e saktë, por të paktën dy, a dhe c, ndonëse asnjëra nuk është e formuluar saktë.
- Pyetja 38, të sakta mund të konsiderohen të paktën tre alternativa a, c, d, ndonëse asnjëra nuk është e formuluar saktë.
- Pyetjet 39, 40. Pasi i drejton nxënësit nga një interpretim fort i dyshimtë për poezinë në pyetjen 39, u kërkon ta përforëcojnë gabimin e pyetjes 39 me përgjigjet e pyetjes 40.
- Pyetja 42, të gjitha alternativat janë të pasakta kur bëhet fjalë për foljen dlirnja (ku shprehet një marrëdhënie gati katartike, një pastrim shpirtëror).
- Pyetja 43, ndonëse i ka të sakta alternativat për epitetin, nuk ka të saktë formulimin, në vargun e dhënë nuk ka asnjë epitet tipik lasgushian (nëse paska një të tillë).
- Pyetja 44, ka gabim në formulim. Në asnjë varg të poezisë së dhënë nuk kemi trishtim, e aq më pak ai qenkësh sundues.
- Pyetja 47 Kërkesa dhe alternativat janë formuluar me gabime të rënda konceptuale dhe terminologjike: çdo të thotë situatë sarkastike, po heroike, po realiste?, llogaritni sa e saktë mund të jetë alternative e dhënë si e saktë.
- Pyetja 48, është formuluar me gabime të rënda konceptuale dhe alternativa e dhënë si e saktë është kuptimisht e pasaktë: autori paska “shtjelluar” Kultin (sot mora vesh që kulti u shtjelloka) dhe që paska një “kult të heroizmit në fushën e betejës” (përgjigja e saktë sipas hartuesve të testit);
- Pyetja 50, shfaq gabime në terminologji në alternativën që jepet si e saktë (zhvillimi linear i aksionit), por edhe tre alternativat e tjera kanë pasaktësi në terminologji dhe koncepte.
- Pyetja 52, ka gabim në formulim: “Nisur nga fragmenti, vdekja e Patroklit kalon nëpër këto kulme” ( si mund të kalojë vdekja nëpër kulme, e këto kulme qenkëshin: “i bie kaska nga koka; i thyhet heshta; i bie mburoja nga supi”.
- Pyetja 53 “Qëndrimi ideo-emocional i autorit kundrejt personazhit mё tё dashur” është krejtësisht e gabuar konceptualisht e po aq e vjetëruar në terminologji. Rrëfimi “objektiv” është thelbi i epikës dhe jo qëndrimi “ideo-emocional i autorit”.
- Pyetja 54, “Duke u nisur nga fragmenti, cili nga tiparet e karakterit tё Patroklit ёshtё tipik pёr heronjtё e eposit grek” – ështe e formuluar gabim, pasi Patrokli, nuk është heroi tipik i eposit grek, e për rrjedhojë edhe alternativa e dhënë si e saktë a nuk ështe vetmja e saktë, por edhe alternativa d.
- Pyetja 59, asnjë nga alternativat nuk është e saktë, pasi asnjë prejt figurave të renditura nuk është figura kryesore mbi të cilën organizohet imazhi i kësaj skene.
Ftoj hartuesit e tezës ta zbulojnë pse-në e kësaj teze që rreket të masë dije, por që tregon sheshit padije duke i dhënë përgjigje pyetjes 60, kuptimin e foljes FLLIQ.