Përfaqësuesi i PS-së në Këshillin Politik, Gjiknuri, deklaroi pas përfundimit të mbledhjes së sotme se me opozitën ishin diskutuar dispozita të ndryshme ndërsa ditën e nesërme do diskutohej lidhur me KQZ-në dhe elementë të tjerë.
“U dakordësuam për dispozitat që na kanë sjellë ekspertët. Ramë dakord për pranimin e raportit 1 me 3 të partneritetit publik dhe atij privat.Nesër do të diskutojmë pjesën e KQZ dhe disa elementë të tjerë. Nesër PD dhe të gjitha forcat besoj është në interes edhe të tyre që të mbyllim totalisht draftin.” – tha Gjiknuri.
Ndërsa përfaqësuesit e opozitës, Bylykbashi e Vasili thanë se në tryzë ishin diskutuar dy çështje të rëndësishme si identifikimi biometrik dhe financimi i partive.
Bylykbashi i PD-së tha se opozita kërkon që identifikimi biometrik të jetë në të gjitha qendrat e votimit ndërsa shtoi se kutitë e votimit do ishin të mbrojtura.
“Diskutuam dy çështje të rëndësishme, identifikimi biometrik që është çështja kryesore e nënshkruar në Këshillin Politik si dhe financimin e partive politike. Sot diskutojmë për të gjetur garancitë dhe ajo që do të sjellë në draftin përfundimtar është identifikimi biometrik, që do të jetë në të gjitha qendrat e votimit. Kutitë e votimit do të jenë të mbrojtura. Çështja e dytë është financimi i partive politike. Sot ramë dakord për paketën e financimit të partive politike në fushatën zgjedhore. Ne kërkojmë që të gjejmë zgjidhje për fushatën. Në këtë kod kemi rënë dakord që të ketë reduktim të financimit privat dhe reduktim të shpenzimeve, ku 3-fshi do të jete vetëm 3-fishi i financimit publik. Sot partitë kanë të drejtë të shpenzojnë 10-fishin e parave që marrin nga privati. Nesër Këshilli Politik mblidhet sërish për çështje që janë të hapura.” – tha Bylykbashi.