Dy nga drejtueset kryesore të Zërit të Amerikës kanë dhënë dorëheqjen, pas miratimit të shefit të ri ekzekutiv, Michael Pack.
Bëhet fjalë për drejtoren e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett dhe zëvendësen e saj kryesore, Sandra Sugawara.
Në letrën e tyre të dorëheqjes drejtuar qindra punonjësve, redaktorëve dhe stafit teknik të Zërit të Amerikës, Bennett dhe Sugawara thanë se me ardhjen e zotit Pack në krye të Zërit të Amerikës dhe organizatave të tjera mediatike të qeverisë amerikane “asgjë që lidhet me ju, me pasionin tuaj, me misionin apo integritetin tuaj nuk ndryshon”.
Por ardhja e zotit Michael Pack në krye të USAGM-së me një kontratë tre vjeçare të miratuar nga Senati ka qenë një proces i vështirë.
Presidenti amerikan Donald Trump e emëroi zotin Pack, bashkëpunëtor i njërit prej përkrahësve më të flaktë ideologjikë të tij, ish-kryestrategut të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Bannon, më shumë se dy vjet më parë.
Por miratimi u bllokua nga demokratët e Senatit deri vonë. Gjatë periudhës së koronavirusit, Trmp ka hedhur vazhdimisht akuza ndaj Zërit të Amerikës, mbi mbulimin e lajmeve për Kinën.
“Zëri i Amerikës menaxhohet në një mënyrë të tmerrshme. Ata nuk janë Zëri i Amerikës. Ata janë e kundërta e Zërit të Amerikës.”– thoshte Trump.
Por zonja Bennet i kundërshtoi deklaratat e Trump, duke thënë se ata raportojnë vetëm informacione të faktuara dhe të besueshme dhe se 280 milion njerëzve që i ndjekin në 47 gjuhë dhe në mëse 60 vende, kanë besim në punën e tyre.