Tre ushtarë indianë, përfshirë një oficer, u vranë në një shkëmbim zjarri me Kinën në zonën përgjatë kufirit, të njohur si Linja e Kontrollit Aktual, brenda rajonit të diskutueshëm Ladakh të Xhamu Kashmirit, tha ushtria indiane, transmeton Anadolu.
Përplasja u zhvillua të hënën gjatë një procesi të “deeskalimit” në luginën Galëan në Ladakh, ku të dy ushtritë ishin angazhuar që nga fillimi i majit, thuhet në deklaratën e ushtrisë.
“Një ngjarje e dhunshme u zhvillua dje (e hënë) me viktima”, potencon deklarata.
Midis tre trupave të vdekur indianë, njëri ishte kolonel.
Oficerë të ushtrisë nga të dyja palët janë angazhuar në diskutime për të zbutur situatën, thuhet gjithashtu në deklaratë.
Megjithatë, Ministria e Jashtme e Kinës tha se pala indiane “shkeli seriozisht konsensusin”.
“Trupat indiane shkelën seriozisht konsensusin e të dyja palëve duke kaluar ilegalisht kufirin dy herë dhe duke kryer sulme provokuese ndaj ushtarëve kinezë, që rezultoi në përleshje serioze fizike”, raportoi e përditshmja “Global Times”, duke cituar ministrinë.
Kjo është hera e parë që nga viti 1975 që Kina dhe India janë përfshirë në një përplasje ushtarake fatale përgjatë Linjës së Kontrollit Aktual.