Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar sot në detyrë gjyqtaren e Apelit të Tiranës, Edlira Petrin, pas hetimit në të tri kriteret: pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.
Trupa gjykuese ishte e përbërë nga Roland Ilia kryesues, Valbona Sanxhaktari relatore dhe Xhensila Pine anëtare.
Gjatë seancës dëgjimore, anëtarët e KPK-së u fokusuan më shumë tek pasuritë e bashkëshortit të Petrit, Sokol Sadushi, i zgjedhur së fundmi anëtar i Gjykatës së Lartë.
Komisioni nuk identifikoi probleme në pasuritë e deklaruara nga zonja Petri, konkretisht për një autoveturë tip Benz të blerë në vitin 2009 në vlerën 600 mijë lekë, depozitat bankare dhe llogaritë rrjedhëse në emër të saj. Relatorja Sanxhaktari tha gjithashtu se subjekti ka pasur burime të mjaftueshme për shkollimin e vajzës së saj në një institucion arsimor jo-publik.
Hetimi u shtri edhe mbi shtëpinë e prindërve të gjyqtares.