Vendosni fjalën kyçe....

Kriza e vetëpunësimit, 37 mijë persona kanë dalë nga skema në 4 vjet


Motori i punësimit në vendin tonë, të vetë-punësuarit, kanë hyrë në një cikël të qëndrueshëm krize, pasi në katër vitet e fundit numri i tyre po pëson tkurrje të shpejtë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti Sigurimeve Shoqërore numri i vetë-punësuarve në skemën e sigurimeve shoqërore u tkurr me mbi 3000 persona me një rënie 3,5%.

Në vitin 2019 numri i të vetë-punësuarve që paguan sigurimeve arriti në 83,756 persona nga 86,796 persona që ishin në vitin 2018. Por me krizën që ka krijuar pandemia Covid, kriza në këtë sektor pritet të thellohet me tej këtë vit.

Në katër vitet e fundit që kur nisi një proces i rreptë formalizmi mbi këtë kategori dhe përfshirja në skemën e TVSH-së për një pjesë të tyre mbijetesa është vështirësuar.

Nga viti 2016 në vitin 2019 kanë dalë nga skema e sigurimeve mbi 36 mijë e 700 të vetëpunësuar me një tkurrje prej 30,4 %.

Vetëpunësimi është motori i punësimit në vendin tonë duke zënë më shumë se një të tretën e totalit te të punësuarve, një nga nivelet më të larta në Europë dhe në Rajon.

Vitet e fundit, numri i të vetë-punësuarve po bie me shpejtësi edhe si rrjedhojë e ndryshimit të strukturës së ekonomisë, ku shitjet e pakicës po shkojnë drejt njësive më të specializuara, si qendrat tregtare dhe supermarketet.

Vetëpunësimi dominohet nga sektori i tregtisë dhe shërbimeve, për vite me radhë ka qenë promotori i punësimit në vend, teksa ekonomia e centralizuar u shemb për t’u orientuar drejt tregut. Por vitet e fundit, avancimi i supermarketeve dhe qendrave tregtare, bashkë me aksionet kundër informalitetit i kanë vënë në vështirësi të vetë-punësuarit që kishin si avantazh kryesor informalitetin.

Kështu nga viti 2015, që kur nisi një aksion kundër informalitetit, numri i të vetë-punësuarve u rrit, por më pas ata nuk mundën të mbijetonin, ndaj numri i këtyre po bie me shpejtësi.

Në rajon, pas Shqipërisë renditet Kosova, ku norma e vetëpunësimit ndaj totalit te të vetë-punësuarve, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2017, përllogaritet 23.5%. Në vend të tretë, për normë të lartë vetëpunësimi, renditet Serbia, ku përqindja e të vetë-punësuarve llogaritet të jetë 21.4%, sipas Zyrës Statistikore të Republikës së Serbisë. Gjysma e të vetë-punësuarve në Serbi janë në sektorin e bujqësisë.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *