Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka marrë vendimin për një tjetër gjyqtare, atë të Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Nure Dreni.
KPK vendosi që ta shkarkojë atë nga detyra, pasi kishte evidentuar pasaktësi dhe mospërputhje në deklarimin e pasurisë nga gjyqtarja Dreni. Pasuri e cila përbëhet nga një automjet i markës Citroen, një apartament prej 155 m2 në pronësinë e bashkëshortit, një investim prej 5.8 milionë lekësh në bono thesari si dhe një apartament prej 60 m2 në Golem.
Nure Dreni është gjyqtarja e cila riktheu në detyrë Luan Dacin, anëtarin e Komisionit të Posaçëm të Apelimit, me argumentin se nuk ka kryer falsifikim të dokumenteve, në mosdeklarimin e masës disiplinore të shkarkimit si gjyqtar, për një shkarkim nga detyra si i paaftë në vitin 1997.
Po ashtu ajo ka qenë pjesë e trupës gjykuese ndaj çështjes së ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.