Shoqatat e Transportit janë ngritur përsëri në protestë paraditen e sotme duke shtuar kërkesat e tyre. Ata kërkojnë një ndihmë financiare, pasi ndihma prej 400 mijë lekësh të vjetra që kanë marrë që nga marsi, nuk u del as për të mbijetuar.
“Për çfarë i marrin kreditë ata?! Kreditë janë ndihmë financiare për ne.
Ne kemi dalë për një paketë ndihmë financiare. Janë 400 mijë lekë që kemi marrë. 200 na kanë ikur ujë e drita, jemi me qira, nëpër shtëpi. Pyeteni, me 400 mijë lekë, çfarë bën Edi Rama për katër muaj? Çfarë bëhet? Hajde thotë paguaj dhe sigurimet vetë ti për këto 4 muaj sepse kompania normalisht nuk i paguan.”– tha një nga protestuesit.
“U bë 4 muaj që s’kemi marrë asnjë lekë. Më mirë të na kapë t’u vjedh, të na kapë në gabim sesa të rrimë kështu. Nuk rrimë dot kështu, nuk dalim dot as para fëmijës as gruas. Duan bukë o vëlla. Zoti kryeministër. S’dalim dot . Ku do haj unë?”– tha një tjetër protestues.
Protestuesit nuk kanë frikë nga ndëshkimi për shkak se tubimet janë të ndaluara, pasi nuk shohin rrugëzgjidhje tjetër.
“Dyqaneve u kanë dhënë 3 rroga dhe dyqanet hapur. Ne mbyllur 4 muaj dhe 1 rrogë, epo ecni në këmbë atëhere.”– tha një protestues i irrituar.
Transporti publik ishte parashikuar të hapej me 15 qershor, por kjo nuk ndodhi. Komiteti Teknik i Ekspertëve pas shtimit të rasteve me Covid vendosi ta shtyjë atë me një javë e ende nuk ka një datë të re për nisjen nga puna./Hashtag.al